Administrata e presidentit Joe Biden është duke nxitur liderët ukrainas të tregojnë vullnet për të negociuar me Rusinë dhe jo të deklarojnë se refuzojnë të marrin pjesë në bisedimet e paqes me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ky presion i SHBA, vjen disa ditë pas irritimit të Joe Biden pas kërkesave të vazhdueshme nga ana e Zelenskyt për më shumë ndihma ushtarake. Kërkesa e zyrtarëve amerikanë nuk synon të shtyjë Ukrainën në tryezën e bisedimeve, specifikuan burimet për gazetën Uaashington Post, por është pjesë e përpjekjeve për garanci, që qeveria e Kievit të ruajë mbështetjen e vendeve që nuk duan që lufta të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë.
Zyrtarët amerikanë ndajnë të njëjtin mendim me atë të homologëve të tyre ukrainas, sipas të cilëve Putin, tani për tani nuk është serioz për negociatat e paqes.
Megjithatë, ata besojnë se vetoja e shprehur nga Zelensky ndaj liderit të Kremlini ka krijuar shqetësim në disa pjesë të Evropës, Afrikës dhe Amerikës Latine, ku efektet e luftës, për sa i përket kostos së jetesës dhe mungesës së ushqimit, po ndihen gjithmonë e më shumë./KlanNews