Ish-Presidenti Stevo Pendarovski, gjatë një interviste për Sitel, ka kritikuar politikën e jashtme të qeverisë aktuale. Ai vlerëson se pushteti është duke shpejtuar dhe se nuk mund ta “blejë” animin e Trampit në kontestin me Bullgarinë, kurse në planin global jemi vend I vogël që të vlerësojmë se mund të jemi në anën e SHBA-së në kontestin me Bashkimin Evropian.
“Ne si vend i vogël, dy herë duhet të mendojmë para se të rreshtohemi të parët afër Trampit dhe t`u themi edhe tjerëve. Nuk do të shpejtoja për shkak ne nuk jemi superfuqi botërore. Secili që udhëheq shtetin, Presidenti, Kryeministri, duhet ta dijë se jemi vend I vogël dhe nuk na ngjan, s`kemi resurse, s`kemi interesa kombëtare të jemi të parët afër shtetit amerikan dhe të themi jemi bashkë me më të fortit. Nëse më të mëdhenjtë të G7, nuk u reshtuan me Trampin pas zgjedhjeve, por peshojnë, nuk mund ta kuptoj përse shpejtojmë” – tha Pendarovski.
VMRO-DPMNE ka dërguar kritika të ashpra në adresë të ish-Presidentit, Stevo Pendarovski, duke pohuar se deklaratat e tij paraqesin prova të qarta se LSDM-ja po e braktis kursin e saj pro-perëndimor.
Sipas VMRO-DPMNE-së, Pendarovski, nuk flet në emrin e tij, por reflekton orientimin e ri politik të LSDM-së, që sipas tyre, po distancohet nga SHBA-të.
“Nëse Ordanoski ishte rastësi, Pendarovski i LSDM-së tregon se është tendencë. LSDM-ja fuqishëm qëndron kundër SHBA-së, nëse Ordanoski theu akullin, Pendarovski tani qartë tregon se LSDM-ja është kundër SHBA-së. Tani bëhet e qartë se LSDM rrejshëm është prezantuar si pro-perëndimor, kurse me padurim kanë pritur të ndryshojnë kursin” – thonë nga VMRO.
Akuza në adresë të ish-Presidentit Pendarovski kanë ardhë edhe nga zyrtarë tjerë të lartë të VMRO-DPMNE-së.
Përmes një postimi në Facebook, Antonio Miloshoski, thotë se Pendarovski në deklaratat publike po konteston legjitimitetin demokratik amerikan dhe se nuk guxon t`i sulmojë liderët e zgjedhur amerikan.
Po në Facebook, është prononcuar edhe Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolovski, duke drejtur akuza se pas 10 muajve heshtje, Pendarovski tani paraqitet në opinion për ta sulmuar Kryeministrin Mickoski dhe mbështetjen e VMRO-DPMNE-së për Presidentin amerikan Donald Tramp. /tvklan.mk/