SHBA: Rusia ka shpenzuar 300 milionë dollarë për ndërhyrje jashtë vendit

SHQIPËRIA, BOSNJA DHE MALI I ZI NË MESIN E VENDEVE TË SHËNJESTRUARA

Rusia ka shpenzuar mbi 300 milionë dollarë, në tetë vitet e fundit, për të ndikuar në politikën e brendshme në më shumë se 24 vende të botës, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjën, Malin e Zi e të tjera. Ky pretendim i Departamentit Amerikan të Shtetit bazohet në dokumente të deklasifikuara të zbulimit dhe kundërzbulimit, të publikuara këto ditë. Shumë raste mbeten të pazbuluara dhe shuma reale e shpenzuar nga Kremlini me siguri është më e lartë, shtojnë zyrtarët e zbulimit dhe kundërzbulimit. Katër vjet më parë, burime ushtarake amerikane pohonin se Rusia po transferonte para në Maqedoninë e Veriut për të ndikuar në referendumin për ndryshimin e emrit kushtetues të vendit.

Inteligjenca amerikane vlerëson se 300 milionë dollarët e shpenzuara për ndërhyrje në politikën e brendshme të vendeve të tjera janë shifra minimale, përkatësisht se kjo është vetëm “maja e ajsbergut”, siç vlerëson një përfaqësues i lartë i administratës së presidentit Joe Biden, në një konferencë për BBC.

PËRFAQËSUES ANONIM I ADMINISTRATËS SË SHBA-ve

“Mendohet se kjo është shuma minimale dhe se Rusia me siguri në mënyrë të fshehtë ka transferuar më shumë para për raste që kanë mbetur të pazbuluara.”

Inteligjenca amerikane nuk përmend vendet për të cilat  besohet se kanë qenë në shënjestër të Rusisë, duke shtuar vetëm se ato shtrihen në katër kontinente. Megjithatë, mediat botërore raportojnë se Shqipëria është në këtë listë, ku pretendohet se Rusia ka dhënë gjysmë milioni dollarë për të mbështetur Partinë Demokratike në zgjedhjet e 2017-ës dhe se ka paguar parti apo kandidatë në Bosnjë, Mal të Zi, Madagaskar dhe vende të tjera. Burimet pohojnë se Kremlini ka përdorur Brukselin si qendër për fondacionet dhe kompanitë fiktive përmes të cilave janë ndihmuar kandidatët e djathtë në Evropë dhe është blerë ndikim.

Katër vjet më parë, Ministri Amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, e akuzoi Moskën për përhapjen e dezinformatave në Maqedoninë e Veriut, për të cilat u transferuan edhe para, para referendumit për ndryshimin e emrit të vendit, duke rrezikuar anëtarësimin e vendit në NATO. Për momentin nuk ka asnjë koment zyrtar nga Moska mbi akuzat, por autoritetet ruse vazhdimisht sulmojnë Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje jashtë vendit dhe nxitje të grushteve të shtetit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share