Mungon Trump: Disa prej rivalëve s’kanë as 1% mbështetje
Tetë pretendentët republikanë për kandidaturën presidenciale të partisë së tyre në zgjedhjet e 2024-ës u përballën me njëri-tjetrin në të parin debat televiziv në studion e Fox News, një debat ku mungoi më i rëndësishmi, Donald Trump.
Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë u shfaq përballë ish-gazetarit të Fox, Taker Karlson, i cili në profilin e tij në Twitter e transmetoi paralelisht intervistën e regjistruar më herët.
Mungesën e tij në debat, Trump e argumentoi me faktin se ai kryeson sondazhet e mbështetjes brenda partisë së tij me deri 70% dhe nuk shihte asnjë arsye pse duhej të përballej figura që s’kanë as 1% mbështetje.
Duke shprehur bindjen në fitoren e një mandati të dytë në 2024-ën, Trump dha argumentet e tij pse do ta mundë Bidenin.
Donald Trump: Ai është presidenti më i keq në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ai është i korruptuar.
Gazetari Carlson: Mendon se do ia dalë në Nëntor 2024?
Donald Trump: Ju e shihni që ai nuk shkon dot deri tek helikopteri pa u penguar, kur në oborrin e Shtëpisë së Bardhë bari është vetëm 2 cm.
Ndërsa në debatin e Fox spikati Viviek Ramasuami, sipërmarrësi 38 -vjeçar i lindur nga prindër emigrante që synon Shtëpinë e Bardhë, me platformë të thuajse identike me atë të Donald Trumpit.
Viviek Ramasuami: Doni një president kukull apo një patriot që thotë të vërtetën?
Mike Pence: Nuk është koha për të marrë në punë praktikantë.
Te pyetur nëse do ta mbështesnin ish-Presidentin Trump edhe nëse do të dënohej, 6 nga 8 rivalët konfirmuan mbështetjen.
Niki Haley: Duhet të përballemi me faktin se Donald Trump është politikani më i urryer i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk fitohen zgjedhjet me të.
Niki Haley vlerësohet si një ndër performancat më të mira në debatin e parë mes rivalëve republikanë për Shtëpinë e Bardhë, që u fokusua edhe në çështje të tjera, si kriza në Ukrainë, marrëdhëniet me Kinën apo ndryshimet klimatike dhe e drejta e abordit.
Tv Klan