Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, vlerëson se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sjell përfitime reale, praktike, politike dhe ekonomike.
Ai tha se fokusi kryesor tani duhet të jetë te “zbatimi i suksesshëm dhe efektiv” i planit.
Tha se është e rëndësishme të ketë një ripozicionim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe do t’i mundësonte, Kosovës që të ecë përpara në shumë mënyra.
“Ne presim marrëveshje përfundimtare që përqëndrohet në njohje reciproke. Të gjitha vendet që kanë qëndruar dhe qëndrojnë me Kosovën, besojnë se është një gjë shumë e mirë dhe po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të parë avancimin e tij dhe përfundimin e suksesshëm të negociatave”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 Mars, për të diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.
Takimet fillimisht të ndara me Borrelin do të nisin në orën 10:00 për të vazhduar më vonë takimi i përbashkët i dy liderëve me ndërmjetësimin e BE-së.
Dy udhëheqësit u dakorduan muajin e kaluar se përmbajtja e tij nuk ka nevojë të diskutohet më tej.
Tv Klan