SHBA mbështet marrëveshjen Kosovë-Serbi

DASH: Kritike për të dyja vendet në rrugën e tyre për integrimin europian

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit, tha për shërbimin serb të Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të hënën. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara “e shohin marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve, të bazuar në njohjen reciproke”.

Marrëveshja e arritur të shtunën pasoi një periudhë përpjekjesh diplomatike amerikane dhe europiane për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen më 31 Korrik pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohej nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtonin nëpër Serbi në dhjetë vitet e fundit.

“Arritja e zgjidhjes përmes dialogut është kritike për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimit europian”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “Bazuar në angazhimet e të dyja palëve dhe punën e palodhur të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Europian, ne inkurajojmë Serbinë dhe Kosovën që të marrin një rol aktiv dhe të ecin përpara në mënyrë paqësore”. Zyrtarët amerikanë dhe ata europianë shpresojnë që Kosova dhe Serbia të kenë një qasje konstruktive për gjetjen e një zgjidhjeje edhe për çështjen e targave të makinave.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share