Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë sërish thirrje Serbisë dhe Presidentit Vuçiç që të lirojnë menjëherë dhe pa asnjë kusht 3 policët e Kosovës që u rrëmbyen 3 ditë më parë në afërsi të kufirit.
Zëdhënësi i DASH, Matthew Miller, thotë se ndalimi i 3 policëve për akuza, të cilat DASH i konsideron se nuk kanë qëllimin e deklaruar nga Beogradi zyrtar, ka përkeqësuar situatën.
“I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiç dhe Qeverisë së Serbisë që të lirojnë menjëherë dhe pa kushte 3 policët e Kosovës të arrestuar më 14 Qershor. Arrestimi dhe mbajtja e tyre të ndaluar për akuza të pakuptimta ka përkeqësuar situatën që tashmë është e tensionuar. Gjithashtu i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë planin 3-pikësh të prezantuar nga BE dhe të ulen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të DASH.
Kjo është hera e dytë që DASH i kërkon Serbisë të lirojë 3 policët e Kosovës.
Prishtina zyrtare e konsideron rrëmbim nga forcat speciale serbe kapjen e 3 efektivëve të saj, në shenjë hakmarrje. Tre policët kanë qenë brenda kufirit të Kosovës. Ndërsa Serbia thotë se 3 efektivët kishin kaluar këtë kufi.
/tvklan.al