Biden viziton Izraelin të Mërkurën, duke konfirmuar seriozitetin e konfliktit
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë rënë dakord të zhvillojnë një plan që do të mundësojë ndihma humanitare nga vendet donatore dhe organizatat shumëpalëshe për civilët në Gaza.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi lajmin pas 9 orë negociatash me Netanyahun që zgjatën deri në orët e para të së Martës. Takimi i tyre u ndërpre nga sirenat e sulmit ajror që paralajmëronin për sulm me raketa palestineze, duke i detyruar ata të strehoheshin për një kohë të shkurtër në një bunker.
“Me kërkesën tonë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë rënë dakord të zhvillojnë një plan që do të mundësojë ndihmën humanitare për civilët në Gaza. Nëse Hamasi në çfarëdolloj mënyre bllokon ndihmën humanitare, duke përfshirë marrjen e vetë ndihmave, ne do të jemi të parët që do ta dënojmë atë. Ne do të punojmë për të parandaluar që kjo të ndodhë përsëri.”
Diplomati i lartë amerikan tha gjithashtu se Biden do të udhëtojë në Izrael të Mërkurën për të bërë të qartë se aleati kryesor i SHBA-së ka të drejtën të mbrohet pasi personat e armatosur të Hamasit sulmuan qytetet dhe bazat ushtarake të Izraelit jugor më 7 Tetor, duke vrarë të paktën 1,300 njerëz.
Vizita e Biden shihet nga ekspertët si shumë domethënëse dhe tregon sesa serioze është kjo luftë.
Presidenti Joe Biden do të informohet për qëllimet e luftës të vendit, ndërsa do të diskutojë planet për të siguruar lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi. Biden do të udhëtojë gjithashtu në Jordani për të takuar Mbretin Abdullah, Presidentin Abdul Fattah al-Sisi të Egjiptit dhe udhëheqësin palestinez Mahmud Abbas.
Por udhëtimi i Biden drejt Izraelit, vjen në një kohë shumë të vështirë kur edhe Irani kërcënon vendin. Një paralajmërim i fortë është bërë nga Irani i cili i ka bërë thirrje Izraelit që nëse nuk i jep fund bombardimeve në Gaza do të ndërmarrë veprime parandaluese në orët e ardhshme.
Komentet e ministrit të jashtëm të vendit janë paralajmërimi më i fortë deri më tani se luftimet mund të përhapen, duke e kthyer atë në një konflikt rajonal. Hossein Amirabdollahian deklaroi se fronti i rezistencës një aleancë e forcave që përfshin Hezbollahun, grupin e fuqishëm libanez të mbështetur nga Irani. Hezbollahu dhe ushtria izraelite kanë shkëmbyer sulme të njëpasnjëshme përgjatë kufirit libanezo-izraelit, duke rritur frikën se ky mund të bëhet një tjetër front i luftës. Ndërkaq ushtria izraelite ka vrarë katër persona që tentonin të hynin në vend nga Libani. Ushtria izraelite vuri re se një skuadër terroriste që po përpiqej të depërtonte në gardhin e sigurisë me Libanin dhe të vendoste një mjet shpërthyes.
Të paktën 71 persona janë vrarë në një bombardim në tre zona në jug të Gazës: Khan Younis, Rafah dhe Deir el-Balah, ku Izraeli kishte urdhëruar civilët të kërkonin strehim. Shumë nga të vrarët ishin gra dhe fëmijëm ndërsa qindra të tjerë mbetën të plagosur.
Brigadat al-Qassam e Hamasit ka bërë të ditur se deri në 250 robër mbahen në Gaza. OBSH paralajmëron se kanë mbetur vetëm 24 orë ujë, energji elektrike dhe karburant në Rripin e Gazës të rrethuar ndërsa rreziku tanimë është edhe më i madh pasi sëmundjet infektive mund të përhapen në shumë zona.
Klan News