Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mohuar përfshirjen në sulmin me dron të së mërkurës në Kremlin, pasi Rusia fajësoi Shtëpinë e Bardhë, përcjell Klan Macedonia.
Sulmi u përshkrua nga Rusia si një përpjekje për të vrarë presidentin Vladimir Putin.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se SHBA qëndronte “pa dyshim” pas sulmit të supozuar, por nuk ishte në gjendje të siguronte ndonjë provë.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby u përgjigj duke e quajtur atë një “pretendim qesharak”.
Kjo vjen në kohën e vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë, e cila po heton krimet e dyshuara të luftës nga Vladimir Putin.
Nga Kremlini, sipas Sky News, thonë se kanë përgjigje të shumta alternative kundër sulmit, por nuk kanë pranuar të përgjigjen nëse Zelensky do të jetë objektiv i tyre legjitim.
Kremlini, pa asnjë provë pretendon se Ukraina ka zbatuar planet e bëra nga Uashingtoni, pas përzgjdhjes së objektivave nga SHBA.
Zelensky ka mohuar se Kievi ka pasur ndonjë lidhje me incidentin, përcjell KlanM.
Pas kësaj, nga Kremlini thonë se është “absolutisht qesharake” që Ukraina dhe Uashingtoni të përpiqen të mohojnë përfshirjen e tyre në incident.
Në një konferencë shtypi në Holandë, Zelensky tha se shpreson që Putini mund të sillet para drejtësisë pasi ai “e meriton” të dënohet për “veprimet e tij kriminale”.
“Jam i sigurt se ne të gjithë duam të shohim një Vladimir të ndryshëm këtu në Hagë”, tha ai, duke iu referuar urdhrit të arrestit për Putinin të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Ai tha se ka besim se Ukraina do ta fitojë luftën kundër Rusisë, duke pretenduar se Rusia kishte kryer 6,139 krime lufte në prill, të cilat çuan në vdekjen e 207 civilëve, 11 prej të cilëve ishin fëmijë.
Ai këmbënguli gjithashtu se duhet të krijohet një gjykatë për të gjykuar krimin e agresionit të Rusisë dhe bëri thirrje për një gjykim “të plotë” dhe pa kompromis./KlanMacedonia