Përfundimi i politikës “Titulli 42” shkaktoi kaos në kufi, ekspertët ligjorë: Regullorja e re e Biden shkel ligjet
SHBA i dha fund politikës të njohur si “Titulli 42” e vendosur gjatë administratës së Trump që synonte kthimin me shpejtësi të emigrantëve në vendet e tyre të origjinës.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden tanimë ka miratuar një rregullore të re gjithëpërfshirëse të azilit që synon të pengojë kalimet e paligjshme. Përpara se politika e mëparshme të skadonte, avokatët e imigracionit të përfaqësuar nga Unioni Amerikan i Lirive Civile deklaruan se rregullorja e re shkel ligjet e SHBA dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Kufiri SHBA-Meksikë u përfshi nga kaosi, ndërsa emigrantët kërkuan të kalonin me forcë para se rregullorja e re të hynte në fuqi. Mijëra emigrantë kaluan nëpër lumenj, u ngjitën nëpër mure dhe kaluan argjinaturat me shpresën se do të hynin në SHBA. Disa emigrantë iu dorëzuan zyrtarëve të kufirit të tjerë u përpoqën të kalonin pa u zbuluar.
Rregullorja supozon se shumica e emigrantëve nuk kanë të drejtë për azil pa kërkuar më parë mbrojtje diku tjetër, ose nëse nuk kanë arritur të përdorin rrugët ligjore për hyrjen në SHBA. Familjet emigrante të kapur duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë, në përgjithësi do të deportohen brenda 30 ditëve.
“Unë nuk mendoj se kjo heqja e titullit 42 nuk na sjell dobi në asnjë mënyrë. Më parë ne mund të arrinim atje SHBA, por tani nuk mund ta bëjmë këtë, ata mund të na deportojnë në moment.”
“Na vendosën pranga në duar e këmbë. Na thanë se kishim bërë një krim të madh. Kishim shkelur në territorin e tyre dhe duhej ta paguanim dënimin në këtë mënyrë. Është degraduese. Na quanin trafikantë droge, banditë.”
Pamjet e xhiruara nga “Reuters” tregojnë agjentët e Patrullës Kufitare duke i detyruar emigrantët të qëndronin në tenda. Në Matamoros, Meksikë, grupe të tëra emigrantësh kaluan lumin Rio Grande. Disa mbanin foshnja të vogla dhe çanta me sende mbi kokat e tyre për të arritur në Brownsville, Teksas.
Nën administratën e Trump, grupet e të drejtave bllokuan me sukses rregullat e Trump në gjykatë. Marsha Espinosa, një zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, u shpreh se rregullorja kërkon që emigrantët të përdorin rrugë të ligjshme.
Trump zbatoi për herë të parë “Titullin 42” në Mars 2020 ndërsa COVID-19 përfshiu globin. Zyrtarët shëndetësorë thanë në atë kohë se urdhri synonte të frenonte përhapjen e virusit në ambientet e paraburgimit të mbushura me njerëz. Ai u lejoi autoriteteve amerikane të dëbonin shpejt emigrantët në Meksikë ose vende të tjera pa pasur mundësinë për të kërkuar azil nga SHBA. Autoritetet kanë dëbuar më shumë se 2.8 milionë emigrantë që nga fillimi i kësaj politike.
Në vetëm javën e fundit më shumë se 10,000 migrantë u kapën duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë çdo ditë. Por me rregullin e ri të azilit, Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas dhe zyrtarë të tjerë të Bidenit janë përpjekur të përhapin mesazhin se kaluesit e paligjshëm do të përballen me pasoja. Ekspertët janë shprehur se ky vendim i ri është i dëmshëm dhe do të rezultojë në mbipopullim në objektet kufitare.
Klan News