Masat e marra nga administrata amerikane janë një përpjekje për të penguar përparimet ushtarake kineze
Administrata e Biden publikoi masa të mëtejshme për të kufizuar shitjet e teknologjisë së çipeve kompjuterike në Kinë në përpjekje për të penguar përparimet ushtarake të Pekinit.
Rregullat, disa prej të cilave hyjnë në fuqi menjëherë, bazohen në kufizimet për prodhuesit kryesorë të mjeteve duke u kërkuar atyre që të ndalojnë dërgesat e pajisjeve në fabrikat tërësisht në pronësi të Kinës që prodhojnë çipa të avancuar.
SHBA ka marrë një sërë masash kohët e fundit mbi kontrollin e furnizimit me gjysmëpërçues. Masat e reja gjithëpërfshirëse do ta bëjnë më të vështirë për Kinën marrjen e çipave të avancuar.
Alan Estevez, nënsekretari në Departamentin e Tregtisë së SHBA njoftoi rregullat, duke thënë se qëllimi i tij ishte të sigurohej që SHBA-ja po bënte gjithçka që mundej për të parandaluar blerjen e “teknologjive për qëllime ushtarake” nga Kina.
“Mjedisi i kërcënimit po ndryshon gjithmonë dhe ne po përditësojmë politikat tona sot për t’u siguruar që po adresojmë sfidat,” tha ai.
Ndërsa lajmet për kufizime të reja u shfaqën javët e fundit, Pekini kritikoi masat dhe tha se SHBA duhet të ndalojë trajtimin e padrejtë të firmave kineze.
SHBA ka ndaluar më parë shitjet e teknologjisë për kompani të veçanta kineze, si Huawei, për arsye të sigurisë kombëtare. Por këto masa shkojnë shumë më tej, që synojnë parandalimin e firmave të huaja që të shesin gjysmëpërçues të avancuar në Kinë.
Jim Lewis, një ekspert i teknologjisë dhe sigurisë kibernetike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, në Uashington DC tha se masat do t’i kthenin kinezët vite mbrapa.
Zyrtarët amerikanë shpresojnë se qeveritë e tjera do t’i bashkoheshin atyre për të bërë kufizime të ngjashme, duke pranuar se kontrollet do të humbnin efektivitetin dhe mund të dëmtonin pozitën e kompanive amerikane në treg.
Masat vijnë pasi SHBA grumbullon miliarda dollarë në industrinë e saj vendase të çipave, lëvizje që synojnë rritjen e konkurrencës së SHBA.
Klan News