SHBA dhe Britania sulmojnë 30 objektiva të Houthi në Jemen

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë kryer sulme ndaj 30 objektivave të Houthi në Jemen gjatë ditës së shtunë.

Në një deklaratë të përbashkët të këtyre dy vendeve, SHBA dhe Britania njoftojnë se sulmet u kryen edhe me mbështetjen e disa shteteve të tjera.

“Sulmi synoi në mënyrë specifike objektet kur ruhen armët, sistemet e raketave, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe radarët e Houthi”, thuhet në deklaratën e përbashkët të SHBA, Britanisë së Madhe, Australisë, Bahrein, Kanadasë, Danimarkës, Holandës dhe Zelandës së Re.

Nga ana tjetër, grupi Houthi tha se avionët luftarakë amerikanë dhe britanikë goditën provinca të shumta në Jemen, përfshirë edhe kryeqytetin.

Dy luftëanije amerikane lëshuan raketa “Tomahawk”, ndërsa avionët luftarakë godisnin objektiva të tjera.

Sulmi vjen edhe pas zotimit të Presidentit amerikan Joe Biden për hakmarrje ndaj grupeve të lidhura me Iranin pas vrasjes së 3 ushtarëve amerikanë në një sulm me dron në bazën e SHBA në Jordani.

Irani akuzohet nga Perëndimi se financon, armatos dhe furnizon disa grupe radikale në Lindjen e Mesme, por nuk i kontrollon drejtpërdrejt.

Këto sulme të SHBA dhe Britanisë që nuk shënjestrojnë Iranin drejtpërdrejt, por grupet e financuara prej tij, janë për t’i dhënë një mesazh të fortë Teheranit./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share