Shalli i Viktor Orban ‘mollë sherri’ mes Hungarisë dhe Ukrainës

Kryeministri hungarez u shfaq me një shall të ‘Hungarisë së madhe’ i cili përfshin disa vende

Supozohej të ishte një dalje normale publike e kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban por dalja e tij e fundit ka shkaktuar jo pak polemika.

Orban së fundmi shkoi në një ndeshje futbolli i veshur me një shall që tregonte disa territore ukrainase si pjesë të Hungarisë. Sipas mediave të huaja shalli i kryeministrit hungarez thuhej se përshkruante një hartë të “Hungarisë së Madhe” duke përfshirë territorin që tani është pjesë e Austrisë, Sllovakisë, Rumanisë, Kroacisë, Serbisë dhe Ukrainës.

Kjo e fundit e shqetësuar është shprehur se do të thërrasë ambasadorin hungarez për të protestuar kundër kësaj çështjeje.

“Promovimi i ideve të revizionizmit në Hungari nuk kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe nuk përputhet me parimet e politikës evropiane”, ka thënë zëdhënësi i Minstrisë së Jashtme të Ukrainës Nikolenko.

Nikolenko theksoi se Ukraina dëshiron një kërkesë falje dhe një kundërshtim të çdo pretendimi hungarez për territorin e Ukrainës.

Edhe kryeministri kroat Andrej Plenković ka reaguar lidhur me këtë çështje.

‘Nuk kam kohë të merrem me këto shaka. Por për sa i përket dëshirave territoriale për territorin kroat nga kushdo, përfshirë Hungarinë, këto të fundit janë absolutisht të papranueshme’, është shprehur Andrej Plenković.

Kjo nuk është hera e parë që lideri hungarez shkakton zemërim pasi në intervistë të dhënë këtë vit ai akuzoi Kroacinë për “vjedhjen” e detit nga Hungaria.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share