Shakira pritet të dalë para gjykatës në Spanjë, rrezikon 8 vite burg

Ylli kolumbian i muzikës, Shakira do të dalë në gjyq për akuzat për mashtrim tatimor në vlerë prej 14,5 milionë euro.  Një gjykatë në Barcelonë ka urdhëruar që këngëtarja të dalë në gjyq për krime të dyshuara tatimore, megjithëse ende nuk është caktuar një datë.

Prokurorët spanjollë kanë kërkuar 8 vite burg për superyllin e muzikës dhe gjobitjen me 23,8 milionë euro nëse shpallet fajtore. Ndërkohë artistja 45-vjeçare ka mohuar çdo akuzë.

“Kam besim se kam prova të mjaftueshme për të mbështetur çështjen time dhe se drejtësia do të mbizotërojë në favorin tim”, tha ajo së fundmi në një intervistë për edicionin spanjoll të revistës Elle .

Ekipi ligjor i Shakira tha në një deklaratë se ata do të bëjnë punën e tyre “duke paraqitur argumentet në kohën e duhur”. Ajo kishte refuzuar më parë një marrëveshje të ofruar nga prokurorët dhe në vend të kësaj kishte zgjedhur të shkonte në gjyq.

Ajo mund të përballet me një dënim me më shumë se tetë vite burg pasi mbi të rëndojnë akuzat për evazion fiskal. Konkretisht bëhet fjalë për periudhën tre vjeçare midis 2012 dhe 2014.

Sipas ligjit spanjoll, njerëzit që kalojnë më shumë se gjashtë muaj në vend konsiderohen rezidentë për qëllime tatimore. Por Shakira thotë se Spanja nuk ishte vendi ku ajo jetonte kryesisht në atë kohë.

Në Korrik, prokurorët lëshuan një dokument ku pretendonin se ajo bleu një shtëpi në Barcelonë në vitin 2012, e cila u bë një shtëpi familjare për të dhe partnerin e saj të atëhershëm, futbollistin e Barcelonës Gerard Piqué.

Avokatët e saj kanë thënë se deri në vitin 2014 shumica e të ardhurave të saj vinin nga turnetë ndërkombëtare dhe ajo kaloi pjesë të gjata të kohës jashtë Spanjës.

Ajo tha se ka paguar 17.2 milionë euro taksa dhe nuk ka borxhe të papaguara./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share