Sfillare: Arat e banorëve nën ujë, mundi u shkoi huq (VIDEO)

BEXHETI: LUMI NUK KA SHTRAT, KAM DËRGUAR KËRKESË PËR TA RREGULLUAR

Lumi i dalë nga shtrati ka lënë banorët e fshatit Sfillare pa të mbjellat e tyre.  Për problemin në fjalë është e informuar komuna. Kreu i saj, Blerim Bexheti thotë se ka bërë kërkesë deri tek qeveria që të rregullohet ky problem.

Kështu duket ara e mbjellur me dredhëza në Sfillare të poshtme. Të gjithë investimin dhe mundin që ka bërë i shkoi huq, pasi uji nga lumi Vardar ia vërshoi të gjithë të mbjellurat.

“Krejt fushën nën ujë e kemi. Dëmi është shumë i madh. Ne jemi munduar me krejt anëtarët e familjes i kemi mbjellur ndërsa e shohim tash se dëmi është shumë i madh. Ne prej kësaj mvaremi. Çdo vit kemi probleme me ujin. Tash askush nuk po merr masa. Shkaktari kryesor është që kompania e cila ka filluar të ndërtojë një kanall ka falimentuar dhe ashtu janë lënë punimet në gjysmë” – tha një bujk.

Kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti thotë se është i njoftuar me problemin për këtë ka informuar Qeverinë, Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Qytetit të Shkupit.

“Është shumë e saktë se aty ka problem ku dëmtohet edhe toka pjellore, ka të bejë kryesisht e shtartin e lumit Vardar, përveç tokës pjellore të Sfillares së poshtme po dëmtohen edhe tokat pjellore në Rashçe. Ne si Komunë kemi qenë në vendgjarje disa herë kemi njoftuar ministrin e Ambientit Jetësor dhe Qeverinë. Jemi në komunikim edhe me Qytetin e Shkupit që të shohim se si kjo çështje mund të rregullohet. Gjendja faktike është që lumi Vardar në atë pjesë nuk ka shtrat dhe uji shkon sipas dëshirës vet. Është çështje më serioze” – tha Blerim Bexheti.

Përderisa pritet një zgjidhje afatgjate banorët e Sfillares së poshtme humbin me dhjetëra euro për investimet që i bëjnë, shumica e tyre mirëmbajnë familjet e tyre duke i punuar tokat. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Arbana Qerimi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share