Sfidat me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, Silvinjo shpall listën e lojtarëve të ftuar

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Junior ka shpallur listën me emrat e 27 lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e kualifikueseve të Euro 2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

Krahasuar me ndeshjen e marsit ndaj Polonisë këtë herë tekniku kuqezi ka grumbulluar më shumë lojtarë, duke qenë se janë dy ndeshje në qershor, ndërkohë që ka edhe emrat të rinj apo rikthime të rëndësishme.

Do të jenë katër portierë të ftuar në grumbullim dhe përveç Etrit Berishës, Thomas Strakoshës e Elhan Kastratit në listë është edhe Simon Simoni, portieri i Kombëtares U-21 i cili vjen për herë të parë me ekipin në një ndeshje zyrtare.

Në mbrojtje rikthehen Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli, të cilët munguan në mars ndaj Polonisë pë shkak dëmtimi, ashtu si edhe Adrian Bajrami, i cili është ftuar për këto sfida.

Emrat e tjerë që përbëjnë repartin e mbrojtjes janë Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Federic Veseli, Enea Mihaj dhe Andi Hadroj, ndërkohë që një tjetër risi është Mario Mitaj, i cili gjithashtu vjen nga Kombëtarja U-21.

Edhe në mesfushë ka një rikthim të rëndësishëm, pasi Keidi Bare e ka lënë pas dëmtimin dhe është plotësisht i gatshëm për Kombëtaren në këto ndeshje të rëndësishme. Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Nedim Bajrami, Keidi Bare, Qazim Laçi dhe Anis Mehmeti plotësojnë këtë repart.

Për sulmin trajneri Silvinjo ka ftuar plot 6 lojtarë, teksa edhe në këtë repart ka dy ndryshime krahasuar me grumbullimin e fundit. Do të rikthehet në skuadër Armando Sadiku, ndërkohë që trajneri ka ftuar edhe Ernest Muçin, teksa së bashku me Myrto Uzunin, Taulant Seferin, Jasir Asanin dhe Sokol Cikalleshi do të plotësojnë ofensivën kuqezi.

Trajneri Silvinjo do të dalë në një konferencë për median më datë 5 qershor për të folur në lidhje me listën dhe dy ndeshjet, ndërsa skuadra do të jetë e plotë në grumbullim duke filluar nga data 12 qershor.

Gjithsesi, lojtarët që do të përfundojnë më herët impenjimet me klubet e tyre do të paraqiten në grumbullimin që do të bëhet në Tiranë, ndërsa seancat stërvitore do të zhvillohen në Shtëpinë e Futbollit.

Shqipëria do të presë Moldavinë më datë 17 qershor në stadiumin “Air Albania”, më sfidën që nis në ora 20:45, ndërsa më datë 20 qershor Kombëtarja do të luajë në transfertë ndaj Ishujve Faroe në stadiumin “Tórsvøllur” të Torshavnit. Dy duele vendimtare për objektivat kuqezi në kualifikueset e Euro 2024.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share