Seri perfekte prej 5 fitoresh në 7 muaj, sensacioni Mersim Zeqiri synon t’i fitojë dy tituj internacionalë në fshatin e tij Garanë

Trojet shqiptarë kanë nxjerrë njerëz të suksesshëm dhe të mbërrirë në fusha të ndryshme. Pa diskutim, sportistët ishin ata që i bënë më së shumti krenarë shqiptarët. E një storje suksesi në vete është edhe Mersim Zeqiri. Boksieri shqiptar nga Maqedonia e Veriut po i mahnit të gjithë me aftësitë e tij në boks. Ndonëse pjesën më të madhe të karrierës e kaloi në një tjetër sport luftarak, së fundmi ai është bërë sensacion në boksin profesionist, ku është ende i pamposhtur.

Fillimi i karrierës

Zeqiri tregon se që nga fëmijëria i kishte pëlqyer sportet luftarake dhe se gjithçka kishte nisur duke i shikuar filmat aksion, ku zhvilloheshin sportet luftarake me plot adrenalinë.

“Jam lind dhe jam rrit në fshatin Garanë të Kërçovës. Përpara i kemi pasur kasetat që kanë qenë me Bruce Lee, me Rocky, me Van Dame dhe jemi inspiruar prej tyre. Kemi dashur të bëheshim si ta. Kështu ka lindur dashuria ndaj këtij sporti. Nga mosha 11 vjeçare ia kam nisur aktiv, kam shkuar edhe në klub, kam shkuar në klubin Frenkendorf, është në Baselland, aty kam nisur me kick-boks. Kam pasur luftëra me amatorë, kam qenë në atë pjesën e kick-boksit, që quhet full-kontakt. I kam pasur mbi 80 luftëra në amatorë, kam pasur sukses”, thotë fillimisht boksieri shqiptar në një intervistë me TV Syri në Zvicër.

Kick-boksi dhe largimi prej tij

Beqiri është marrë për një kohë të gjatë me kick-boks, por pak kohë më parë hoqi dorë nga ky sport pasi mbeti i dëshpëruar.

“Puna e kick-boksit ka qenë prej fëmijërisë, prej moshës 5-6 vjeç. Menaxhmentin nuk e kam pas në kick-boks, kam qenë i dëshpëruar, prandaj edhe nuk ka ecur si duhet, nuk ka qenë mirë e menaxhuar”, vazhdoi ai.

“Nuk po më mungon kick-boksi, sportin nuk e kam lënë, veç i kam lënë këmbët, tash po punoj veç me duar. Tjetër gjë është krejt njëjtë”, shton ai duke e bërë krahasimin mes dy disiplinave të këtij sporti luftarak.

Kalimi në boks, suksesi falë Avdyl Salihut

Mersim Zeqiri nuk mund ta imagjinonte një fillim aq impresionues në boksin profesionist. Ai i ka regjistruar pesë fitore në po aq meçe në shtatë muajt e fundit, pra për një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër. Dhe për këtë, i është falënderues menaxherit, promotorit dhe “match-makerit” të njohur shqiptar, Avdyl Salihu.

“Unë kam qenë i dëshpëruar me kick-boks, isha pa menaxher… e Avdyl Salihu ka qenë pika që më ka kthyer. E falënderoj shumë. Në boksin profesionist kemi treguar me Avdyl Salihun se çka është e mundshme për shtatë muaj që të boksoj për dy tituj Internacional, që njihen në krejt botën, UBO dhe UBF”, shprehet ai.

“Në boksin profesional është krejt ndryshe, aty e kam në krahë Avdyl Salihun, i cili është menaxheri im personal dhe promoteri im. Ai ndan shumë kohë me mua dhe për mua dhe po shihen edhe rezultatet. I kam 5 fitore në 5 meçe brenda shtatë muajsh. Është një sukses shumë i madh brenda një periudhë të shkurtër”, shprehet tutje boksieri shqiptar nga Maqedonia e Veriut.

Sa u përket ndjenjave që ia sjell ringu, ai thotë se janë të papërshkrueshme dhe të pashpjegueshme për ata që s’e kanë provuar ringun, njëjtë si t’i tregosh dikujt që s’është bërë ende prind se si është të kesh fëmijë.

Realizimi i ëndrrës – boksimi në fshatin e tij, Garanë

Mersim Zeqiri ka boksuar edhe në të kaluarën në Maqedoninë e Veriut.

Por, më 20 korrik të këtij viti ai do ta zhvillojë një meç të veçantë dhe mjaft emocionues.

Ai do të zbresë në ring në fshatin e tij dhe mezi po e pret këtë meç, i cili mund t’ia sjell dy breza (rripa) të artë.

“Federata UBO është Federatë e Danimarkës, e UBF është e Amerikës. Na kanë mundësuar Internacional me boksu për dy tituj. Bashkë me stafin kemi vendos që kjo ngjarje ‘Garana Fight Night 20 Korrik 2024’ të ndodh në fshatin tim ku kam lindur, në fshatin Garanë, është një fshat i vogël, është shumë i bukur, ka shumë qëndrime të mira. Më kanë përkrah moralisht shumë, por edhe financiare deri diku. Ky event do të bëhet më 20 korrik të këtij viti”, tregon tutje Zeqiri, një boksier fantastik dhe një djalosh modest dhe mjaft punëtor.

Kundërshtari i 20 korrikut dhe spektakli në Garanë

Zeqiri e ka zbuluar nacionalitetin e kundërshtarit të tij të 20 korrikut.

Gjithashtu, ka folur edhe më detajisht për garën gala që do të mbahet në fshatin e Kërçovës gjatë verës që po vjen.

“Avdyl Salihu është menaxher dhe promoter i kësaj galaje. Kundërshtari do të jetë nga Venezuela, po e zbuloj për ju këtë. Është një kundërshtar shumë i mirë, i ka 14 fitore e 2 humbje. Shpejt do ta zbulojmë edhe emrin e tij”, shprehet Zeqiri.

“Kam garuar në Tetovë, kam garuar në Kërçovë dy herë, në qytet, por në fshatin ku kam lindur nuk kam pasur meç ende. Është ambient i hapur, stadiumi me bar artificial. Me garuar në fshat është pak më problem edhe për boksierët tjerë. Ndryshe është në qytet, duhet t’i bindësh që të boksojnë në fshat pasi janë mësuar në qytet. Do të ketë edhe gjashtë luftëra tjera, meçi im do të jetë kryesori. Është një luftë tepër e rëndë, sepse bokson në vendlindje”, shton ai.

Përkrahja e publikut

Mersim Zeqiri është lindur në Kërçovë, por është rritur në Zvicër, ku jeton dhe vepron, duke i gërshetuar sportin me biznesin, por rëndësi të madhe i kushton mbi të gjitha familjes.

Pasi u zhvillua në një vend multi-kulturor, me nacionalitete të ndryshme, ai ka përkrahës dhe fansa të shumtë shqiptarë, por edhe të huaj.

Ata i konsideron si mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e karrierës së tij.

“Përkrahja e publikut është shumë e rëndësishme. Pa shikueshmëri nuk do të ishim këtu ku jemi, pa ata njerëz që na ndjekin, që e duan këtë sport, nuk mund të arrish nëse nuk e ke publikun pas vetes. “Unë jam rritur në Zvicër, ka edhe italianë, portugezë, publiku është i hapur. Sidoqoftë, shqiptarët janë në vendin e parë që na përkrahin, prej Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, thotë tutje Zeqiri.

Synimet në karrierë

Zeqiri po e shijon çdo moment në boksin profesionist dhe synon të jetë mjaft i suksesshëm.

Me titujt që mendon t’i fitojë gjatë verës në Maqedoninë e Veriut, nuk e ka ndërmend të ndalet pasi e ka karrierën përpara dhe zbulon se do të synojë edhe tituj të tjerë të Federatave të tjera.

“Mersimi do të shkojë shumë lart. Fansat shqiptarë e përkrahin sportin e boksit shumë dhe besoj se kanë me më përkrah dhe për këtë besoj se do të shkojmë në majat e larta, që do të kryhen me sukses synimet që i kemi”, thekson Zeqiri.

“Fokusi është të shkoj në majat e larta. Shpresoj të mos kem lëndime. Ka shumë për të arrit, ka shumë Federata. Njeriu është i lindur që nuk thotë kurrë boll, dëshiron gjithmonë të arrijë më shumë”, shprehet ai.

Përgatitjet

Boksieri shqiptar është duke u përgatitur për sfidën e radhës pasi e mbylli vitin 2023 në mënyrë fantastike.

Ai zbulon se do të ushtrojë tek boksieri i njohur shqiptar, Arnold Gjergjaj, për t’u përgatitur sa më mirë të jetë e mundshme.

“Përgatitjet ia kam nisur, jam duke i kryer tek boksieri i jonë Arnold Gjergjaj, po ndihem mjaft mirë aty. Abdullah Zymberi është pjesë e stafit e Enver Salihu është trajneri im, vëllai i Aziz Salihut”, tregon ndër të tjera Zeqiri, i cili zbulon se në ring hyn zakonisht me këngët e Ilir Shaqirit, respektivisht me këngën ku flitet për Kërçovën, përkatësisht për një vajzë të këtij vendi, ndërsa e inspiron edhe çiftelia, një instrument që e ka në qejf dhe që tingëllon mirë sipas tij.

Mersim Zeqiri e tregon humanitetin e tij, i ndihmon të varfrit

Mersim Zeqiri e ka shfaqur edhe anën e tij humane duke e ndërmarrë një veprim vërtet për t’u duartrokitur.

Për t’i ndihmuar nxënësit në nevojë, ai me menaxhmentin e tij e kanë menduar një metodë të jashtëzakonshme.

Për këtë edhe i fton tifozët që të jenë në numër sa më të madh me praninë e tyre pasi kjo gala e boksit do ta ketë edhe një kauzë humaniteti.

“Mund t’ju tregoj se 20 për qind e fitimeve nga shitja e biletave do të shkojnë për nxënësit e shkollës ‘Mylto Gurra’ në fshatin Strellcë, pra për nxënësit që iu duhet material për shkollë. Ideja është që t’ju ndihmojmë të varfërve”, zotohet ai.

Biznesi dhe familja

Sporti nuk është gjithçka për Mersim Zeqirin.

Ky djalë punëtor dhe i vyer i përkushtohet goxha shumë biznesit dhe familjes.

Ai thotë se si sportist, familjar dhe afarist i mirë duhet të kesh kulturë e disiplinë në vetë.

Mersimi ka folur edhe për biznesin e tij dhe për familjen, e cila e mbështet vazhdimisht në realizimin e synimeve dhe të ëndrrave.

“Unë e kam biznesin, firmën e parketit, që shtrojmë parket dhe normal që merr kohë. Por, nëse i menaxhon punët mirë, çdo send mund ta kryesh. Pra, prej boksit, deri tek biznesi dhe familja, për gjithçka mund të gjesh kohë”, nënvizoi ai.

“Janë 13 punëtorë që i kemi, pastaj marrim edhe punëtorë të përkohshëm apo sezonalë. Biznesi që e bëj unë më ka dhënë përjetime të shumta, pozitive, por edhe negative. Por, njeriu duhet të jetë i gatshëm dhe të keqen ta kthejë në të mirë”, thotë boksieri shqiptar.

“Ne shqiptarët jemi punëtorë, i mbajmë ndoshta edhe nga 2-3 punë. Jemi të krijuar qashtu, edhe pse nuk dua t’i nënçmoj nacionalitetet tjera. E kemi ndihmën e shtetit, është shumë më mirë se më përpara, hala më mirë po bëhet”, shton Zeqiri, i cili është baba i tre fëmijëve.

“E kam përkrahjen e familjes në maksimum për t’u marrë me boks. Përkrahja e tyre është gjithçka, është qëndrimi dhe shtylla. Nëse familja nuk të përkrah, është e vështirë të arrish suksese”, thotë tutje ai.

“Babi është kritikuesi im më i madhi që ekziston, po flas për aspektin e mirë. Ai ma jep inspirimin, që unë i arrij punët që i kam bërë deri tash. Për çdo hap që e kam bërë ai më ka ndjekur dhe më ka përkrahur dhe këshilluar”, tregon Zeqiri.

Menaxhimi i kohës

Zeqiri e ka një jetë dhe agjendë mjaft të ngjeshur duke e pasur parasysh se duhet t’ju përkushtohet sportit, biznesit dhe natyrisht edhe familjes.

Ai në intervistë për TV Syri ka treguar se si ia del ta menaxhojë kohën dhe t’i mbërrijë të gjitha.

“Nëse punon, nëse je i disiplinuar, arrin gjithçka, me mirëmbajt familjen, punën, sportin, shokët, krejt. Të gjitha këto përfshihen nëse je punëtor. Nëse s’je punëtor, s’mund ta mbash as sportin. Gjithçka është tek disiplina, jo tek talenti”, tregon ai.

Krenar me arritjet e shqiptarëve

Mersim Zeqiri është njëri prej shumë shqiptarëve të suksesshëm të diasporës.

Ai ndihet krenar që bashkatdhetarët po arrijnë suksese kudo dhe në sfera të ndryshme të jetës, ndërsa shpreson që sukseset të rriten dhe të zgjerohen.

“Ne shqiptarët këtu në Zvicër kemi arritur shumë sidomos në sport. Gjithashtu, edhe në Maqedoninë e Veriut kemi arritur shumë, jemi duke shkuar mirë, po shihet edhe tash me këta dy tituj në fshatin Garanë, por edhe me eventet tjera që mbahen atje. Jemi duke shkuar mirë, por shpresoj që ka me u bë më mirë, e mira nuk kryhet kurrë”, nënvizoi Zeqiri.

Dobitë e boksit

Tutje, Mersimi thotë se përmes sportit, në këtë rast boksit, e mëson se kush je, çka je, mëson që të kesh sabër, që me të nguc dikush nuk i jep hapësirë për me u kap me të se e din veten kush je.

“Pjesa e boksit për fëmijët, njerëzit tanë, është shumë e mirë pasi je i disiplinuar, rri i qetë dhe s’mund të rrihesh me një person në rrugë ose jashtë diku. Sporti edhe të mirëmban, të bën sabërli, e ke kontrollin, s’don me i tregu askujt se kush je e çka je. Je i disiplinuar, e ruan atë që e ke përballë.”

Inspirim për të rinjtë

Mersim Zeqiri i frekuenton kohë pas kohe rrjetet sociale, por nuk e humb kohën kot.

Ai zbulon se ato i përdor kryesisht për sport dhe mundohet t’ua tregojë të rinjve rrugën e suksesit dhe të bëhet model dhe shembull për ta.

“Nuk rri shumë në rrjetet sociale, por i përdori ato për sport, për këta të rinjtë që ta shohin ardhmëria e jonë se si një boksier për 7 muaj është ndeshur 5 herë, i ka 5 fitore dhe tash ndeshet për dy tituj. Çdo sport të largon prej sendeve të këqija, prej alkoolit, drogës dhe krejt të këqijave. Nuk do të rrish tek treni, tek stacioni, por do të shkosh në trening, do të kesh disiplinë, do të bësh ushtrime. Pra, ju ikën sendeve që janë të gabueshme”, deklaron Zeqiri, i cili thotë se nuk kërkon shumë që ta duan njerëzit, por gjithsesi ta respektojnë pasi edhe vetë mundohet të jetë sa më shumë respektues dhe respektin e sheh mbi gjithçka në jetë.

Zeqiri, një patriot me zemër, në fund iu bëri thirrje të gjithë atyre që do të kenë mundësi të jenë prezent në meçin e tij të radhës për të festuar në fund bashkërisht.

“I falënderohem Zotit që e kam një familje të shëndoshë dhe ishalla krejt shqiptarët dhe nacionalitetet tjera të jenë mirë. Më e mira është që më 20 korrik të jenë të gjithë në fshatin Garanë në ring, aty jam tjetër person. Në jetën e përditshme jam shumë i qetë, në ring jam tjetër person. Ishalla do Zoti jemi shëndosh e mirë, besoj se do t’i kemi të shtruar në tavolinë dy tituj”, përfundoi boksieri shqiptar, Mersim Zeqiri.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share