Bojken Abazi nga “Lëvizja Vetëvendosje” foli sot në “Milori Live”në Tv Klan për situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe atë që pritet të ndodhë në ditët në vijim.
Abazi theksoi qeveria e Kurtit ka reaguar në mënyrë të drejtë ndaj planit franko-gjerman për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi edhe pse ende nuk ka një version zyrtar të tij.
Ai tha ndër të tjera se ndaj Serbisë duhet të ketë reagime të prera sa i takon Zajednicës (Marrëveshja e firmosur mes LDK-PDK e pakicës serbe) dhe çështjes së targave.
Pjesë nga intervista në studio:
Abazi: Nuk jemi ende në një moment ku ndaj Serbisë përveç fjalëve të prera, të vendosen dhe sanksione. Unë besoj që në raport me Serbinë me një udhëheqës politik si Aleksandër Vuçiç, trashëgimtar i Millosheviçit që po përdor të njëjtën retorikë, me një qasje që përpiqen të instrumentalizojnë pakicat e tyre kombëtare në shtetet fqinj për të avancuar me politikat e tyre ekspansioniste. Dhe duke ardhur tek viktimizimi i këtyre pakicave që nuk qëndron aspak, sidomos në rastin e Kosovës, ku pakica serbe ka gëzuar të drejta dhe privilegje që në Evropë nuk i kanë zotëruar pakica kombëtare. Ne kemi politikan të tillë, që nuk ka kërkuar falje, nuk është penduar, nuk po kthehen të pagjeturit, e ka quajtur Millosheviçin një udhëheqës të madh. Nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, vazhdon dhe kërcënon me luftë , nuk mund ta trajtojmë ndryshe për veçse duke i treguar vendin në mënyrë të prerë.
Milori: Duke i treguar vendin thoni ju, por është një plan franko-gjerman, për të cilin palët janë shprehur. Nuk kemi një kronikë zyrtare të tij në fakt, unë po i referohem REL-it, që thotë plani përmban të drejta të barabartë Kosovës dhe Serbisë, respektimi i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për pakicën serbe në Kosovë. Këto janë pikat kyçe të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilin ka një qëndrim korrekt qeveria e Kosovës dhe që thotë po mund të ulemi në një tryezë. Mendoni se është një plan që duhet marrë parasysh dhe vërtet do t’i japë shtysë dialogut të vërtetë, të qenësishëm Kosovë-Serbi? Nuk përmendet fare njohja reciproke, njohja e pavarësisë së Kosovës, që të jemi korrektë.
Abazi: Ka pasur disa publikime të këtij plani, mendoj se mund të ketë dhe modifikime në rrugë e sipër. Ky plan nuk ka ekzistur i shtruar në këtë formë para shkurtit, mund të ketë marrë prej atij modeli, sigurisht duhet analizuar në detaje, por disa elemente brenda propozimit, në vija të përgjithshme ka disa elemente positive për Kosovën, por edhe disa që nuk janë pozitivë për Kosovën.
Qeveria Kurti në raport me këtë plan besoj unë ka mbajtur një qëndrim të drejtë, duke marrë parasysh rrethanat kur ka thënë që ka disa premise të mira plani dhe mund të ulemi ta diskutojmë. Kryeministri Kurti ka mbajtur një qëndrim të prerë për Zajednicën dhe asocacionin…
Milori: Ka ndryshuar edhe loja ë? Nuk jeni më në opozitë Bojken, jeni në pushtet. Pushteti ka petk tjetër, kaq e vështirë është të ulet dhe të flitet për Zajednicën?
Abazi: Është shumë e rëndësishme që të mos ketë një karakter monoetnik, se nuk ka sens. Përshembull, çfarë do ndodhi aty nëse ndryshon përbërja e popullsisë, do u kërkohet serbëve të bëjnë më shumë fëmijë? Nëse fillojnë përshembull lindin më shumë shqiptarët në Veri. Kur futesh tek këto llogari…
Milori: Pse është bosnjezimi i Kosovës?
Abazi: Ta shpjegoj me dy elementë, nëse ti përcakton etninë e një funksionari publik, siç bënte Zajednica, nuk jemi shumë larg politikës fashiste. Jo vetëm raciste por fashiste. Dhe një politikë e tillë nuk do ishte mirë të zbatohej brenda Kosovës sepse bie ndesh me vlerat bazë të Bashkimit Evropian.
Klan News