Serbia formon ekipin kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, do të udhëhiqet nga Daçiq

Serbia ka formuar grupin punues që është thënë se do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin eventual të Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës.

Grupi punues u formua me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë seancës të mbajtur më 5 prill në Qeverinë serbe.

“Ky grup punues ka mbajtur mbledhjen e parë”, u tha në një njoftim të Qeverisë serbe.

Grupi punues do të udhëhiqet nga Ivica Daçiq, që është kryediplomati i Serbisë, së bashku me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Anëtarë në këtë ekip do të jenë edhe ministrja serbe për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviq, dhe ministri i Tregtisë, Tomisllav Momiroviq, raporton Radio Evropa e Lirë.

Formimin e këtij grupi e kishte paralajmëruar Vuçiqi një ditë më parë. Ai ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të bashkojnë forcat për të parandaluar anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ne kemi detyra të vështira dhe të rëndësishme, dhe do të kërkoja nga të gjithë anëtarët e Qeverisë, pavarësisht se çfarë funksionesh do të kryejnë pas formimit të Qeverisë së re, të punojnë me përkushtim në kryerjen e këtyre detyrave”, deklaroi Vuçiq një ditë më parë gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Qeverisë serbe.

Bashkimi Evropian nuk ka komentuar planet e Serbisë për të tentuar që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Më 5 prill, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u pyet nëse veprime të tilla të Serbisë përbëjnë shkelje të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve – të arritur një vit më parë – por, ai nuk deshi të komentojë.

“Nuk dua të hyjë në komente të asaj se çfarë është thënë se çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiq. Unë mund të përsëris se, bazuar në pritjet e Bashkimit Evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa të tjera të nisin të zbatojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe. Kur bëhet fjalë për Këshillin e Evropës, çështjet e anëtarësimit i takojnë Këshillit të Evropës”, tha Stano.

Neni 4 i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt të vitit 2023, thotë se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Kosova synon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në muajt në vijim, pasi javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandoi se ajo i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share