Vuçiç e quajti “pushtim të plotë” formimin e autoriteteve të reja lokale pas zgjedhjeve
Një shfaqje e forcës ushtarake një ditë para zgjedhjeve të pjesshme vendore në veri të Kosovës. Është dita e Forcave të Armatosura të Serbisë dhe këtë paradë ushtarake presidenti Aleksandar Vuçiç po e ndjek së bashku me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik.
“Populli ynë do t’i shikojë me qetësi, përgjegjësi dhe përbuzje ata që do të vijnë nga Mitrovica e Jugut për të votuar e zgjedhur një udhëheqje të re. Ajo çfarë do të ndodhë më pas do të jetë një pushtim i plotë për të cilin qytetarët tashmë janë gati, janë mësuar. Ata do të jenë të qetë, do të jenë të përgjegjshëm, ne do të paguajmë rrogat si më parë, do të luftojmë edhe më shumë për ta, do të ngremë standardet.”
Vuçiç komentoi edhe deklaratën e zëdhënësit të Bashkimit Europian, Peter Stano, që tha se blloku europian është i zhgënjyer që Lista Serbe dhe serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 Prillit.
Lideri serb tha se serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në disa procese zgjedhore, por tani ata nuk duhet të marrin pjesë derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Para zgjedhjeve, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje qytetarëve në veri që të dalin në zgjedhje. Ajo tha se pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë një “mesazh i fortë” për ata, që sipas saj, kanë “kërcënuar dhe frikësuar” serbët e Kosovës.
Klan News