Serbia e konfirmon vdekjen e Artan Zymberajt në burgjet e saj – kjo është arsyeja sipas tyre

Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha për Radion Evropa e Lirë se Artan Zymberi, shtetas norvegjez me prejardhje nga Kosova, i cili ka vdekur në një burg në Serbi më 27 nëntor, “ka refuzuar të trajtohet për një sëmundje që kishte”.

Mediat në Kosovë, ditëve të fundit, kanë raportuar se familjarë të të ndjerit kanë shprehur dyshime se Zymberi, 28 vjeç, mund të jetë vrarë shkaku i disa tatuazheve në trup, si ato me figurën e Adem Jasharit – i vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë më 1998 – shqiponjës dhe emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë njoftoi se nga 3 shkurti i këtij viti, Zymberi ishte duke vuajtur dënimin me burg në Sremska Mitrovicë, me kohëzgjatje prej tre vjetësh e tetë muajsh, për veprën penale: prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.

Atij, më parë, i ishte shqiptuar masa e paraburgimit, po ashtu në Sremska Mitrovicë, ku ndodhej që nga 29 prilli i vitit 2021.

Nuk është e qartë se si ka ardhur deri tek arrestimi i tij në Serbi.

Ministria serbe tha se kur Zymberi është marrë në mbajtje, ka deklaruar se është duke u trajtuar nga një “lloj i caktuar i sëmundjes”, por ajo tha se nuk mund të specifikojë më shumë, për shkak të Ligjit për të dhënat dhe mbrojtjen personale dhe Ligjit për kujdesin shëndetësor.

Ministria, po ashtu, tha se Zymberi nuk ka pasur me vete dokumentacion mjekësor, por se është kontrolluar disa herë nga mjeku dhe se, në bazë të gjendjes që kishte, merrte terapi adekuate.

Ministria serbe tha se ai kishte “kujdes të plotë mjekësor” dhe “kontroll të rregullt”.

Sipas saj, Zymberi, gjatë vuajtjes së dënimit, ishte referuar disa herë në një spital special të burgut në Beograd.

Ai u tha se ka refuzuar mjekimin dhe ushqimin në disa raste.

Për herë të fundit, ai ka qëndruar në këtë spital special nga 28 korriku deri më 17 shtator të këtij viti.

Pas kësaj periudhe, ai u kthye në burg në Sremska Mitrovicë me udhëzimin për terapi dhe trajtim të mëtejshëm, të cilin “ky i dënuar me vendosmëri e refuzoi”.

“Me të dënuarin është diskutuar disa herë se duke refuzuar terapinë, me dashje rrezikon shëndetin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë serbe të Drejtësisë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas saj, mjeku ka konstatuar vdekjen e Zymberit më 27 nëntor, në ora 07:15, në shtratin e tij në burgun e Sremska Mitrovicës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë bëri të ditur për REL-in se është njoftuar për vdekjen e Zymberit në burgun në Serbi, por shtoi se “për çdo pyetje për rrethanat e vdekjes, duhet drejtuar autoriteteve serbe”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë tha për REL-in se ka kërkuar informacione lidhur me rrethanat e vdekjes së Zymberit nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë.

“Deri tani nuk na kanë ofruar ndonjë informatë, me të cilën e konfirmojnë rastin”, tha MPJD.

Lidhur me këtë rast, sipas Ministrisë serbe të Drejtësisë, u njoftua edhe policia serbe, e cila ka kryer një hetim dhe ka njoftuar Prokurorinë e Lartë Publike në Sremska Mitrovicë.

Kjo e fundit urdhëroi që trupit t’i bëhet autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Novi Sad. Gjetjet e autopsisë u dorëzuan në prokurori, por, aktualisht, nuk janë të qarta për publikun.

Përfaqësuesi ligjor, si dhe Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Serbi u informuan për vdekjen e Zymberit. Familja e mori trupin e tij më 6 dhjetor, sipas Ministrisë serbe të Drejtësisë.

Familjarët e të ndjerit thanë se atyre nuk u është dhënë mundësia ta takojnë apo kontaktojnë Zymberin. Por, Ministria serbe tha se i hedh poshtë “të gjitha gënjeshtrat e përhapura nga individë përmes rrjeteve sociale për këtë rast”.

Shtohet se Zymberin e kanë vizituar përfaqësues të Ambasadës norvegjeze në Beograd. Asaj iu drejtua burgu në Sremska Mitrovicë për të ofruar mbështetje psiko-sociale, pasi Zymberi nuk kishte pranuar të komunikonte me punonjësit e institucionit, e as me mjekun dhe të tjerët. /Ekonomia Online

Lexo gjithashtu
Total
0
Share