AUTORITETET SERBE PRETENDOJNË PËR SULM TË ORKESTRUAR KUNDËR SHTETIT
38 protestues të arrestuar, 8 policë të lënduar, dy prej të cilëve me lëndime të rënda, është bilanci i protestave të mbrëmshme të dhunshme të opozitës serbe para ndërtesës së Kuvendit të qytetit të Beogradit.
Autoritetet serbe thonë se kanë parandaluar një tentativë për të marrë me dhunë institucionet shtetërore, kurse nga opozita serbe kanë akuzuar pushtetin për dhunë ndaj protestave qytetare dhe se incidentet janë shkaktuar nga “huliganë” të afërt me pushtetin.
“Sot demostrojmë, guxim dhe vendosmëri. Përfundoi koha e shëtitjeve, koha e protestave paqësore, koha e fjalimeve. Është koha për aksion”, tha Srgjan Milivojeviq.
Konflikti mes policisë dhe protestuesve nisi kur një pjesë e demostruesve sulmuan ndërtesën e Kuvendit të Beogradit, kurse policia përdori gaz lotsjellës për t`i shpërndarë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë gjatë një prononcimi të jashtëzakonshëm, u bëri thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen pasi nuk është duke ndodhur asnjë revolucion.
Gjatë së hënës, përmes Instagramit, ai u zotua se do të mbrojë paqën dhe stabilitetin në Serbi, duke pohuar se ka qenë në tarracën e presidencës gjatë protestave.
“Absolutisht është e vërtetë, isha në tarracën e Presidencës, në vendin tim të punës, nuk u frikësove e nuk ika. Gjithmonë do të jem me popullin. Do ta mbrojmë demokracinë, paqën dhe stabilitetin në Serbi”, tha Aleksandar Vuçiq.
Gjatë ditës, presidenti serb ka takuar ambasadorin rus në Beograd ku e ka njoftuar për incidentet në protestën e mbrëmshme.
Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, duke komentuar situatën në Serbi pas zgjedhjeve, ka vlerësuar se perëndimi dëshiron që ta zbatojë Majdanin në Serbi dhe Ballkan.
Nga ana tjerë, Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, deklaroi se shërbimet ruse të sigurisë kanë pasur informacione se po përgatitet trazira në Serbi.
“Kjo me siguri nuk do t`i pëlqejë perëndimit, por sonte ndjej se është e rëndësishme të mbrohet Serbia dhe t`i falënderoj shërbimet ruse të sigurisë që i kishin këto informata dhe I ndanë me ne”, tha Ana Brnabiq.
Kjo ishte protesta e shtatë e opozitës në Beograd me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor. Lista “Serbia kundër dhunës” pretendon se Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet vodhi zgjedhjet, ndër të tjera, duke regjistruar në mënyrë fiktive votuesit e tyre nga vende jashtë Serbisë./KlanMacedonia