AKSIONI VAZHDON DERI NË FUND TË QERSHORIT!
Mediat serbe raportojnë se gjatë aksionit për dorëzimin vullnetar të armëve, një qytetar, policisë ia ka dorëzuar mitralozin “Getling”, një nga armët më vdekjeprurëse në botë, percjell KlanM.
Thuhet se policia e Serbisë, ka vetëm një të tillë.
Lajmi ka bërë bujë në rajon dhe natyrisht s`kishte se si të mungonte reagimi i Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
ALEKSANDAR VUÇIQ – PRESIDENT I SERBISË
“Është ky mitralozi rrotullues që gjuan 3.000 plumba në minutë. Njeriu e dorëzoi mitralozin dhe e falënderojmë për këtë veprim të bërë”
Ekspertët në Serbi nuk janë befasuar nga ky lajm. Kanë përmendur një shembull nga aksionet e mëparshme kur është kthyer një armë kundërajrore prej 20 milimetrave.
Ndryshe, sic njofton KlanM, brenda një muaji të aksionit për dorëzimin e armëve të jashtëligjshme, qytetarët në Serbi kanë dorëzuar 65.841 copë armë, prej tyre më shumë se 23.000 mjete shpërthyese dhe afro 3 milion plumba. Në listë gjenden edhe armë nga lufta e parë dhe e dytë botërore
Për shkak të dyshimeve se ende ka sasi të mëdha të armëve të jashtëligjshme, sic percjell KlanM, autoritetet serbe e kanë vazhduar aksionin e dorëzimit vullnetar të armëve deri në fund të qershorit, sic thuhet, pa pasoja dhe përgjegjësi penale.
Aksioni, sic njofton KlanM, u inicua pas dy ngjarjeve makabre në fillim të Majit në Serbi, kur nga të shtënat me armë u vranë 18 persona.