Policia serbe ka arrestuar një të ri, i cili në afërsi të qytetit të Rumës në Vojvodinë ka gjuajtur një predhë nga një raketë e dorës dhe ka shkatërruar një ndërtesë të braktisur pranë stacionit hekurudhor, përcjell KlanM.
Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 14 në Platiçevë dhe ka shkaktuar shembjen e një objekti më të vogël, por nuk ka të lënduar.
Sipas informacioneve jozyrtare është arrestuar një 25-vjeçar i cili është liruar nga trajtimi neuropsikiatrik një ditë më parë.
“Një zjarr u konstatua se po digjej në ndërtesën e vjetër dhe të braktisur të stacionit. Menjëherë janë lajmëruar zjarrfikësit të cilët me shpejtësi kanë lokalizuar dhe më pas kanë fikur zjarrin”, shkruan gazeta “Blitz”, e cila thekson se janë shkaktuar dëme të tjera materiale.
Mediat serbe raportojnë se pas të shtënave masive në shkollë, kur një nxënës në shkollën fillore të Beogradit “Vladislav Ribnikar” vrau tetë bashkëmoshatarë dhe një roje të shkollës, si dhe pas masakrës në Mlladenoc kur Uros B. (21) vrau tetë persona, incidente të reja ndodhin shpesh.
Në përgjigje të dy vrasjeve masive, MPB-ja e Serbisë u bëri thirrje qytetarëve që në periudhën nga 8 maji deri më 8 qershor të dorëzojnë armët e paregjistruara./KlanMacedonia