Në pjesën veriore të Mitrovicës sot mbahet një tubim si reagim i serbëve pas vendimeve të fundit të Prishtinës targat dhe mos lejimin e krijimit të bashkësisë së komunave serbe.
Më shumë se zakonisht kudo janë shfaqur flamujt dhe tabelat serbe “Kjo tokë është Serbi”.
Gazetarja Blerta Dalloshi Berisha raportoi se aktualisht situata është e qetë, por e tensionuar duke qenë se vazhdimisht mund të ketë ndonjë përshkallëzim të situatës. Ajo u shpreh se janë mbledhur shumë qytetarë serbë të cilët i janë përgjigjur thirrjes së Listës Serbe.
Më tej, gazetarja shtoi se nuk dihet zyrtarisht nëse policët serbë të cilët hoqën uniformat të shtunën kanë dhënë dorëheqjen zyrtarisht. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Ministria e Brendshme e Kosovës. Megjithatë, të njëjtët policë janë parë gjatë natës duke lëvizur me veshje civile, por me makina të policisë së Kosovës.
Kujtojmë se më herët kryetarët e komunave në veri të Kosovës kanë dorëzuar zyrtarisht dorëheqjet. Mëngjesin e sotëm janë mbajtur seanca të jashtëzakonshme të kuvendeve në katër komuna në veri ku zyrtarisht kanë dhënë dorëheqje nga postet kryetarët e Leposaviqit, Severna Mitrovicës, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Drejtori i Zyrës për Kosovën Petar Petkoviç ka deklaruar se vendimi i serbëve për t’u larguar nga të gjitha institucionet në Prishtinë ishte lëvizja më e përgjegjshme deri më tani.
KFOR njofton se është duke e monitoruar situatën dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Beogradit dhe Prishtinës si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës./tvklan.al