Dy kilometra afër Jarinjes ekipi i televizionit N1 ka filmuar rreth gjashtë gjuajtës predhash me rreze të gjata (Howitzer), dhe një numër të caktuar të policisë ushtarake serbe, përcjell gazeta online Reporteri.
N1 njoftoi se nuk u është lejuar të filmojnë Howitzerët, maqineritë gjuajtëse.
Gazetari N1 shton se situata ishte krejtësisht identike edhe vitin e kaluar kur rruga Jarinje-Leposaviq u bllokua, dhe ku në të njëjtin vend u vendosën automjete të blinduara dhe disa herë mbi të fluturuan avionë ushtarakë.
Kujtojmë se Pika 3, Paragrafi (e) i Marrëveshjes së Kumanovës shkruan se “Zona e Sigurisë Tokësore (GSZ) përkufizohet si një zonë prej 5 kilometrash që shtrihet përtej kufirit të Kosovës në pjesën tjetër të territorit të RFJ-së. Ai përfshin terrenin brenda asaj zone prej 5 kilometrash”.
Ndërkaq Pika 4, Paragrafi (a) shkruan se “në asnjë rrethanë asnjë Forcë e RFJ-së dhe Republikës së Serbisë nuk do të hyjë, rihyjë ose mbetet brenda territorit të Kosovës ose Zonës së Sigurisë Tokësore (GSZ) dhe Zonës së Sigurisë Ajrore (ASZ) të përshkruar në paragrafin 3 […] Policia vendore do të lejohet të qëndrojë në GSZ”.
Orë më parë ministri serb i mbrojtjes tha se Presidenti i Serbisë ka urdhëruar që deri në fund të vitit 2023 forcat speciale ushtarake të rriten në 5 mijë, nga 1 mijë e 500 sa janë aktualisht.
Në anën tjetër, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviç, ka thënë se ditëve në vijim “do të nevojitet prezenca e forcave ushtarake serbe” në kufi me Kosovën.
Mbrëmjen e së dieles ka pasur të shtëna armësh afër një patrolle të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.