Senatori amerikan Bernie Sanders ka kritikuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për refuzimin e tij që të krijohet një shtet palestinez.
“Pavarësisht veprimeve të paligjshme dhe çnjerëzore të qeverisë së Netanyahut, presidenti Biden deri më tani i ka ofruar mbështetje të pakushtëzuar Izraelit. Kjo duhet të ndryshojë. Presidenti Biden tani duhet t’i thotë me zë të lartë dhe qartë jo politikave të qeverisë ekstremiste të krahut të djathtë të Netanyahut. Kjo është ajo që një mik i vërtetë i Izraelit duhet të bëjë në këtë moment”, deklaroi senatori.
“Dhe Kongresi duhet të veprojë. Nuk duhet të ketë më ndihmë ushtarake amerikane për Izraelin për të vazhduar luftën e Netanyahut. Ndihma humanitare duhet të lejohet menjëherë për të arritur tek ata në nevojë. Duhet të negociohet lirimi i sigurt i të gjithë pengjeve të mbetura”, shtoi ai.
Sanders tutje tha se Izraeli duhet të punojë drejt një paqeje të qëndrueshme që lejon dy shtete për dy popuj, raporton The Guardian, përcjell Klankosova.tv