Edhe Italia ka ratifikuar anëtarësimin në NATO për Stokholmin dhe Helsinkin
Senati amerikan ka miratuar pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO duke dërguar kështu një mesazh të fortë mbështetjeje për zgjerimin e aleancës perëndimore kundër Rusisë. 95 vota shkuan pro këtij vendimi duke bërë së bashku si rrallëherë republikanët edhe demokratët.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, një demokrat nga Nju Jorku shprehet se kjo është një votë shumë e rëndësishme për sigurinë amerikane në mbarë botën.
“Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë do ta forcojë NATO-n edhe më tej dhe është edhe më urgjente duke pasur parasysh agresionin rus, luftën imorale dhe të pajustifikuar të Putinit në Ukrainë. Putini po e forcon aleancën e NATO-s”, thotë ai.
Pas senatit amerikan edhe parlamenti utalian dha miratimin përfundimtar për një projektligj që ratifikon pranimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancën e NATO-s. Senati votoi me 202 vota pro dhe 13 kundër projektligjit, një ditë pasi Dhoma e Ulët e miratoi atë me një shumicë të madhe.
Aderimi duhet të ratifikohet nga parlamentet e të 30 vendve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut përpara se Finlanda dhe Suedia të mbrohen nga neni 5 i NATO-s që thotë se një sulm ndaj një vendi anëtar është një sulm kundër të gjithëve.
Stokholmi dhe Helsiniki njoftuan të dyja aspiratat e tyre për t’u bashkuar me NATO-n në Maj, pasi lufta në Ukrainë shkaktoi një ndryshim të papritur në qëndrimet e tyre ndaj anëtarësimit në bllok.
Klan News