“DO TË BËJMË ÇMOS QË TË KETË ZGJEDHJE TË DYFISHTA NË 2025”
Lideri i ASH-së, Ziadin Sela, gjatë një interviste për javoren “Fokus” ka paralajmëruar protesta nga Fronti Evropian, sic thotë, për të mbrojtur demokracinë.
Sipas tij, ky front nuk është histerik në dëshirën për të qenë pjesë e pushtetit, por se kauza e tyre është shteti I së drejtës për të gjithë, pasi Maqedonia e Veriut me sistemin politik që reflekton realitetin demografik, nuk duhet të bëhet poligon për të përmbushur dëshirat e politikanëve individë për majorizimin e një bashkësie etnike në favor të tjetrës.
“Protestat nuk janë destabilizim, por e drejtë demokratike, që këndellin demokracinë kur vehet në pikëpyetje. Për këtë shkak, Fronti Evropian, është prononcuar se do t`i ndërmarrë të gjitha mekanizmat, duke llogaritur edhe protestat, që ta shërojmë këtë demokraci të sulmuar nga Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja” – tha Sela.
I pyetur nëse janë të mundshme trazira gjatë protestave, Sela thotë se vetëm nga ana e Qeverisë mund të infiltrohen njerëz që mund të shkaktojnë trazira.
“Do të ketë protesta. Nëse qeveria planifikon të infiltrojë njerëz që të bëjë skenare, le të thonë, për shkak se në Maqedoni, fatkeqësisht, implikime të këtilla të pushtetit përmes njerëzve të tillë, kanë ndodhur veçanërisht kur kanë protestuar Shqiptarët” – tha Sela.
Në intervistën për javoren “Fokus”, Sela ka përmendur edhe mundësinë për zgjedhje të dyfishta, të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet e rregullta lokale në vitin 2025, për shkak të, sic thotë, qeverisë jolegjitime. Sipas tij, Fronti Evropian do të bëjë çmos që të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, por se e njëjta pritet edhe nga VMRO-DPMNE dhe Mickoski. /tvklan.mk/