Në kuadër të operacionit policor të koduar “Real estate” janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 550 mijë Euro në Elbasan që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 2 personave. Policia njofton se njëri prej tyre është dënuar në Itali, ndërsa tjetri në Belgjikë për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.
Konkretisht, u bë sekuestrimi i 2 pasurive të regjistruara në emër të shtetasit me iniciale A.K. dhe të afërmve të tij, një objekt 3 katësh ku zhvillohej aktiviteti i barit, restorantit dhe hotelit në Cërrik dhe një makinë “Lamborgini”. Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë që janë sekuestruar e kanë burimin nga veprimtari kriminale të A.K., i dënuar në Belgjikë për trafikim dhe shfrytëzim për prostitucion.
Në foto: “Lamborgini” e sekuestruar
Gjithashtu, bë sekuestrimi i pasurisë së 34-vjeçarit me iniciale U. K., banues në Elbasan, konkretisht një objekt banimi me sipërfaqe 105 m2, në Elbasan. Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo pasuri e sekuestruar e ka burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga 34-vjeçari, i cili ka qenë i dënuar më parë, në Itali, për veprën penale “Trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al