Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë për shtyp gjatë vizitës së tij në Izrael, thotë se rruga për ta bërë rajonin më paqësor është e qartë.
Blinken ripohon se qëndron përkrah miqve izraelitë dhe atyre që refuzojnë terrorin teksa shpreh mbështetjen e SHBA-së për Izraelin.
“Qëndrojmë përkrah miqve tanë izraelitë dhe të gjithë atyre që refuzojnë terrorin. Përsa kohë që ka Shtetet e Bashkuara, Izraeli nuk do të jetë kurrë vetëm”, thotë Blinken.
Këtë mesazh, ai e ka dhënë dhe më herët kur u shfaq me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Nga Izraeli, Blinken do të udhëtojë për t’u takuar me liderë të tjerë anembanë rajonit në ditët në vijim “për të parandaluar përhapjen e konfliktit” dhe për të diskutuar se si ta detyrojë Hamasin të lirojë pengjet.
Më pas, ai thotë se do të udhëtojë në Jordani ku do të takohet me Mbretin Abdullah dhe Presidentin e Autoritetit Palestinez Abbas. Vizita e tij zyrtare do të vijojë me takimet me liderë të tjerë të Lindjes së Mesme./tvklan.al