Seanca e sotme plenare u zhvillua mes kaosit. Prej disa javësh, deputetët e opozitës kanë vijuar me atë që ata e konsiderojnë protestë për të drejtat kushtetuese duke mos lejuar zhvillimin normal të Kuvendit.
I pranishëm në seancë këtë të hënë ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka votuar pro për të gjitha projektligjet që ishin në rend dite, më i rëndësishmi ndër to ai për buxhetin për vitin 2024.
Menjëherë pas mbylljes së seancës, që zgjati vetëm 5 minuta, Rama është larguar. Ai fillimisht ka përdorur përshëndetjen ushtarake edhe më pas “OK” ndaj deputetëve të opozitës.
Por në largim ai është hasur në një tjetër situatë. Duket se ndaj tij është hedhur një send. Megjithëse sendi nuk mund të dallohet në kamera, lëvizjet e kreut të qeverisë dhe të një punonjësi të Gardës e tregojnë diçka të tillë. Ky i fundit vendos një dosje pas Ramës teksa ai largohet.
Po ashtu, ministrja për Parlamentin, Elisa Spioropali, dallohet teksa i drejtohet deputetëve të opozitës pas kësaj situate. Pavarësisht kësaj Rama u largua qetësisht nga salla./tvklan.al