Seanca e parë ndaj komandant Topit, të mërkurën në ora 14:00

Ish-komandanti i UÇK-së, Haxhi Shala, do të ketë paraqitjen e parë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 13 dhjetor në orën 14:00.

Paraqitja e parë do të mbahet në seancë publike.

Kurse konferenca e parë për ecurinë e çështjes do të mbahet të premten në orën 09:30.

Kështu tha ZPS-ja në një njoftim për media.

Aty janë dhënë edhe detaje të aktakuzës së ngritur ndaj tij.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Haxhi Shalës më 4 dhjetor 2023. Thuhet po ashtu se ditën e arrestimit, komandant “Topi” mori një kopje të aktakuzës në gjuhën e tij amtare.

“Sipas Aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të z. Januzi dhe z. Bahtijari me dëshmitarin 1. Në të thuhet gjithashtu se, me udhëzim të z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”, thotë ZPS.

Sipas Aktakuzës, thuhet se “kjo sjellje tregon se z. Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Në aktakuzën e konfirmuar, thuhet se Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Sa i përket kontekstit të çështjes, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan në Kosovë më 5 tetor 2023 dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023, në bazë të aktakuzës së konfirmuar. /Klankosova

Lexo gjithashtu
Total
0
Share