Seanca e Kuvendit edhe në vazhdimin pas mesnatës kaloi me akuza të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës. Deputetët nga opozita me akuza për gjendjen e keqe ekonomike, mosfunksionimin e institucioneve, paaftësinë e pushtetit që të ballafaqohet me korrupsionin, mospërfundimin e projekteve kapitale, duke përsëritur qëndrimin se rikonstruimi i Qeverisë nuk është në interes të qytetarëve, por i pazarllëkut për funksione dhe i interesave personale.
Në një moment erdhi deri te zënka mes kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi dhe deputetit të VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, i cili paraprakisht në fjalimin nga foltorja e përmendi djalin e Xhaferit.
Pas debatit të shkurtër dhe intervenimit të koordinatorit të grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, situata u qetësua dhe vazhdoi debati për shkarkimin e ministrit të obliguar për diasporë, Xhemail Çupi.
Paraprakisht, deputetët nga opozita maqedonase akuzuan kryeministrin se nuk kujdeset për diasporën maqedonase dhe kanë pyetur pse nuk propozon ministër të ri për diasporë në periudhë, siç thanë, “kur nga disa shtete na mohohet identiteti”.
Në këtë kryeministri replikoi se Qeveria, shteti, kujdeset për secilin pjesëtar të diasporës, pa dallim se ku jetojnë, duke shtuar se vetëm VMRO-DPMNE-ja është ajo që tenton t’i prish marrëdhëniet e mira fqinjësore.
“Lidhur me pyetjet për diasporë, dëshiroj këtu shumë qartë të them, maqedonas ka edhe në Amerikë, Kanada, Gjermani dhe Zvicër, Australi, Greqi, Bullgari, Serbi, Shqipëri dhe në Kosovë dhe gjithkund ata janë maqedonas që e flasin gjuhën maqedonase, për çka ne jemi tejet krenarë. Merrni vetëm para dy javëve xhirimet nga MPJ dhe e shihnio se çfarë ndihme është dërguar në Shqipëri për maqedonasit që jetojnë aty”, tha Kovaçevski.
Ende nuk ka përfunduar debati për shkarkimin e ministrit pa resor për disporë, Xhemail Çupi nga Alternativa, ndërsa në seancat paraprake u rrumbullaksua debati për shkarkimin e bashkëpartiakëve të tij, ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti, të cilët do të zëvendësoihen nga kuadro të partnerit të ri të koalicionit – Aleanca për Shqiptarët.
Në rend të ditës së seancës së 104-të janë edhe emërimet e ministrave të rinj, Fatmir Mexhitit për ministër të Shëndetësisë, Azir Aliut për ministër të Shoqërisë Informative, Krenar Logës për ministër të Drejtësisë dhe Kaja Shukova për ministre të Ambientit Jetësor.
Në kuadër të kësaj seance duhet të shkarkohen edhe zëvendës ministrat e Mbrojtjes, Bujqësisë dhe Arsimit dhe Shkencës, Bashkim Hasani, Abdulshyqur Abedini dhe Lulzim Aliu.
Seanca e 104-të filloi më 13 shkurt, ndërsa Kuvendi paraprakisht i ka konstatuar dorëheqjet e ministrit të Drejtësisë Nikolla Tupançevski dhe ministrit të Ambientit Jetësor Naser Nuredini, si dhe zëvendës ministrave të Shëndetësisë Vlladimir Rendevski dhe të Drejtësisë, Agim Nuhiu.
Seanca do të vazhdojë sot në ora 10, ndërsa krahas kësaj seance, u caktua edhe seanca për pyetje të deputetëve.