Scholz i rikujton Vuçiq Marrëveshjen e Ohrit

Kancelari Olaf Scholz i ka kujtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiç obligimet e Beogradit në një bisedë telefonike. Vuçiç ankohet për sjelljet e Prishtinës.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç shkëmbyen çështjet më urgjente të hënën në një bisedë telefonike, konfirmuan të dyja palët. Siç tha zëdhënësi i qeverisë në Berlin, u diskutua për “gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe”.

Në këtë bisedë, Scholz theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe “forcoi mbështetjen e përhershme gjermane” për këtë dialog.

“Në të njëjtën kohë (kancelari) sqaroi obligimet serbe në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, tha zëdhënësi i kancelarit Scholz.

Ankesat e Vuçiç

Vuçiç deklaroi në Instagram se ai “informoi në detaje” kancelarin Scholz për “situatën pothuajse të padurueshme për komunitetin serb në Kosovë dhe Metohi, si dhe shmangien e vazhdueshme të Prishtinës për të përmbushur detyrimet e saj të pranuara dhe të nënshkruara, veçanërisht në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

“Theksova se në këtë rrugë jo gjithmonë të lehtë, ne kemi nevojë për ndihmën e partnerëve tanë, si Gjermania, dhe se ne llogarisim në mbështetjen e vazhdueshme për integrimin evropian, si dhe stimuj konkretë që do t’i jepnin një vrull të ri vazhdimit të reformave, me energji të re për vendet kandidate në rrugën e BE-së”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë falënderoi Gjermaninë për “marrëdhëniet e shkëlqyera ekonomike” me Serbinë dhe në veçanti përmendi “potencialet investuese që janë hapur në kuadër të EXPO 2027”./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share