Presidenti turk kërkon bashkëpunimin e Gjermanisë për armëpushim
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz shfaqën ndasi të thella për luftën mes Izraelit dhe Hamasit, gjatë një konference në Berlin.
Udhëheqësi turk zhvilloi një vizitë të tensionuar dhe të shkurtër në kryeqytetin gjerman, vizitë e cila ishte shtyrë për shkak të deklaratave të tij të ashpra ndaj Izraelit.
“Zoti President, nuk është sekret që ne kemi pikëpamje të ndryshme, ndonjëherë shumë të ndryshme për konfliktin aktual. Pikërisht për këtë arsye bisedimet tona janë të rëndësishme. Izraeli ka të drejtë për vetëmbrojtje. Ishte një sulm i tmerrshëm, brutal i kryer nga Hamasi. Nuk mund të vazhdojë një organizatë terroriste që qeveris këtë rajon, të ndërmarrë aktivitete të tilla nga atje në mënyrë të përsëritur, me forcë të pabesueshme ushtarake. Kjo duhet të marrë fund dhe ky është një objektiv që duhet mbështetur – ne në çdo rast e mbështesim”, tha Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz
Teksa foli për për gjetjen e mundësive për një armëpushim humanitar, Presidenti turk Erdogan tha se Gjerman ia nuk mundet ta kritikojë Izraelin për shkak të holokaustit
“Unë flas lirisht pasi nuk i kemi gjë borxh Izraelit. Nëse do t’i kishim borxh, nuk do të flisnim dot lirisht. Ata që janë në borxh nuk flasim dot lirshëm. Ne nuk përjetuam Holokaustin dhe nuk gjendemi në një situatë të tillë”, tha Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti turk Erdogan e ciëlsoi këtë javë Izraelin një vend terrorist që synon të shkatërrojë Gazën dhe i ka përshkruar militantët e Hamasit “luftëtarë të rezistencës” që përpiqen të mbrojnë tokën dhe popullin e tyre.
Vizita e parë e Erdoganit në Gjermani në katër vjet vjen në një kohë kur të dyja palët kanë nevojë për njëra-tjetrën. Erdogan , duke shpresuar të fitojë përsëri qytetet e Ankarasë dhe Stambollit në zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm, kërkon mbështetjen e Scholz për modernizimin e bashkimit doganor të Turqisë me BE-në dhe udhëtimin pa viza për turqit në BE.
Gjermania ka parë një rritje të antisemitizmit dhe islamofobisë që nga fillimi i konfliktit dhe është përballur me kritika për menaxhimin e protestave pro-palestineze, për të cilat qeveria ka frikë se mund të jenë antisemite.
Kancelari gjerman kërkoi gjithashtu mbështetjen e Turqisë për të frenuar emigracionin e e parregullt në BE, për të cilën u shpreh se arritja e një marrëveshje do të ishte në dobinë e të gjitha shteteve. Mes dallimeve të mprehta, dy liderët theksuan gjithashtu rëndësinë e mbajtjes së marrëveshjes që lejon Rusinë dhe Ukrainën të eksportojnë grurë pavarësisht nga konflikti i tyre./KlanNews