“ME KONSENSUS POLITIK PËR PROCESIN EUROINTEGRUES”
I dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, nga Shkupi ka deklaruar se Maqedonia e Veriut është në rrugë të vërtetë për të realizuar qëllimin e saj strategjik, por në periudhën e ardhshme, sic percjell KlanM, duhet të fokusohet në obligimet që dalin nga korniza negociuese, në sundimin e së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit, për të mbajtur dinamikën e progresit drejt BE-së.
“RMV-ja ka mbështetjen e fuqishme dhe parimore nga partnerët evropian, por shumë e rëndësishme është të ketë konsensus dhe proaktivitet nga të gjitha partitë politike për procesin eurointegrues” – tha Manuel Saracin, i dërguar Gjerman për Ballkanin.
I dërguari gjerman për Ballkanin, ka takuar partitë politike të vendit për të diskutuar rreth zhvillimeve në procesin e integrimit të vendit në BE, njofton KlanM.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Miloshoski, pas takimit, ka theksuar se deputetët e opozitës nuk kanë ndryshuar qëndrimin.
VMRO-DPMNE, sic njofton KlanM, i ka thënë Saracinit, se sipas një hulumtimi, 85% e Maqedonasve janë kundër, sic është thënë, kërkesës së imponuar për ndryshimin e Kushtetutës.
I dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, largohet nga vendi pa dhënë deklaratë për mediat, por sipas njoftimeve të shumicës qeveritare, ai u ka thënë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, që deri në shtator, t`i votojnë ndryshimet kushtetuese. /KlanMacedonia/