Neurologu Dr.Howard Tucker, shumë i njohur në Cleveland të Ohios ka mbushur muajin e kaluar plot 101 vjeç.
Mediat e huaja shkruajnë se Tucker ka lindur më 10 Korrik 1922 dhe ai pavarësisht moshës së thyer ende punon me kohë të plotë dhe është mjaft i lumtur me gruan e tij me të cilën ka 66 vite martesë.
Ai ka rrëfyer në një podcast “sekretin” e jetëgjatësisë së tij. Tucker beson se marrëdhëniet e shëndetshme me njerëzit dhe të ndjerit përherë i ri janë elementët që garantojnë një jetë shumë të gjatë. Por veç këtyre, ai jep dhe disa këshilla të tjera.
101-vjeçari është shumë aktiv me aktivitetet sportive, ai vrapon deri në 4.8 kilometra disa herë brenda një jave dhe nuk pi duhan. Tek ushqimi ai është mjaft selektiv!
Në mëngjes ai konsumon drithëra dhe fruta. Ai thotë se pjepri, bananet, luleshtrydhet dhe boronicat shoqëruar me drithëra nuk duhet të mungojnë kurrë në mëngjeset e verës. Po ashtu të dy, bashkë me gruan e tij pinë qumësht me 2% yndyrë të reduktuar dhe janë adhurues të çajit të zi e kafesë.
“Marrja e lëndëve ushqyese që trupi juaj ka nevojë mund t’ju mbrojë nga sëmundje të tilla si diabeti, kanceri dhe sëmundjet e zemrës”, shprehet neurologu.
Tucker thekson se ai zakonisht e anashkalon drekën sepse e bën atë të ndihet më efikas dhe e pengon atë të përgjumet në punë.
Në darkë, ai ushqehet me peshk dhe perime, duke përfshirë shumë brokoli e mish herë pas here. E pas këtyre, sipas tij është e domosdoshme të konsumosh fruta ose akullore.
Darka tipike e Tucker është e ngjashme me dietën mesdhetare, e cila është konsideruar prej kohësh “standardi i artë” për ushqim të shëndetshëm. Dieta fokusohet në perime, yndyrna të shëndetshme si vaji i ullirit, proteina pa yndyrë dhe karbohidratet komplekse si drithërat. Studimet tregojnë se plani i të ngrënit mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe të promovojë shëndetin e trurit. Këto sugjerime ndoshta do ju vijnë dhe ju në ndihmë për një jetë shumë të shëndetshme e të gjatë!/tvklan.al