Samiti për Ukrainën, zbardhet programi i plotë

Shqipëria mikpret të mërkurën e 28 Shkurtit samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”. Në këtë samit do të marrë pjesë edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i cili viziton po ashtu për herë të parë Tiranën.

Kryeministria ka bërë të ditur këtë të martë axhendën e samitit të nesërm. Në orën 09:00 të mëngjesit, kryeministri Edi Rama do të presë Presidentin Zelensky në Kryeministri. Aty ata pritet të zhvillojnë një takim kokë më kokë dhe një takim bilateral mes dy delegacioneve.

Rreth orës 10:10 pritet firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Një orë më vonë, kryeministri Edi Rama do të presë liderët e Europës Juglindore në Pallatin e Kongreseve. Samiti është parashikuar të nisë rreth orës 11:30 dhe të përfundojë dy orë më vonë. Rreth orës 13:00 pritet që Rama dhe Zelensky të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ky samit që do të bashkëdrejtohet nga Rama e Zelensky ka si qëllim që në 2-vjetorin e sulmeve ruse në Ukrainë, t’i tregojë kësaj të fundit mbështetjen e të gjithë vendeve të Europës Juglindore.

Përfaqësuesi i Komisionit Europian që do të marrë pjesë në Samitin e 28 Shkurtit do të jetë Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varheyli, i cili do të drejtojë dhe Samitin e 29 Shkurtit po në Tiranë, ku do të diskutojë me liderët e Ballkanit Perëndimor për fondin e rritjes ekonomike që Brukseli ka vendosur në dispozicion të rajonit tonë për një sërë projektesh madhore./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share