Samiti i liderëve të Ballkanit, Rama vë theksin te tregu i përbashkët me BE

Kryeministri Edi Rama merr pjesë sot në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, dhe Bashkimit Europian, i cili mbahet në Kotor, Mali i Zi, me fokus Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor.

“Shpresoj shumë që transfertat financiare do të jenë shumë më të lira nga BE në vendet tona, sepse nuk do kemi barrën e shpenzimeve që kanë, do jetë një gjë shumë e mirë nëse bëhet”, theksoi kryeministri gjatë fjalës së tij.

Ky takim rajonal që zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e BP.

Samiti është i konceptuar në dy panele, përkatësisht: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes”, si dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal”, me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. dhe Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Në Samit janë të pranishëm drejtues e përfaqësues të organizatave partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, etj.

Në nisje të punimeve të Samitit, Kryeministri Rama dhe liderët e tjerë të rajonit u pritën nga Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajić.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore:

-Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.

-Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.

-Përshpejtimi i reformave themelore

-Rritja e ndihmës financiare

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share