Ditën e nesërme do të zhvillohet Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Ohër ku do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i vendit Edi Rama. Në lidhje me këtë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një prononcim ka thënë për gazetarët se është para tyre pikërisht për të denoncuar këtë takim në Ohër. Berisha e quan një alencë të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, e cila synon vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon.
Sali Berisha: Sot jam këtu para jush për të denoncuar takimin e aleancës trilaterale të Ohrit si një alencë e rrezikshme për paqen, stabilitetin në Ballkan. Si një aleancë e cila synon vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon. Si një aleancë e cila i kundërvihet tërësisht procesit të integrimit evropian dhe të tregut të përbashkët rajonal në kuadër të nismës së Berlinit. Ky samit i Ohrit, prodhon Serbomalli, Rusiofili dhe asgjë të mirë për shqiptarët. Përshëndetes qeveritë që refuzojnë anëtarësismin në këtë klub të Beogradit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha është shprehur se nuk beson që Mali i Zi do të bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”, teksa ka shtuar se presidenti Gjukanoviç e ka kundërshtuar anëtarësimin e vendit të tij në këtë nismë.
Sali Berisha: Mali i Zi nuk është anëtarësuar, ka shkuar për të marrë pjesë sepse ka një kompozim në të cilën një pjesë e popullsisë së tij është de fakto me origjinë serbe. Pjesa dërrmuese e popullsisë malazeze nuk është serbe. Presidenti Gjykanoviç ka kundërshtuar në mënyrë të prerë dhe të hapur anëtarësimin e vendit të tij në nismën e “Ballkanit të Hapur”./tvklan.al