Tirana u kthye sot në epiqendrën e politikës europiane. Për herë të parë, liderët e Bashkimit Europian vendosën që të mbajnë një samit për Ballkanin Perëndimor jashtë hapësirës së Unionit, duke i dhënë sinjal të qartë për rajonin tonë.
Samiti i Tiranës mes liderëve të Unionit dhe të rajonit të Ballkanit u konkretizua me përfitime konkrete më shumë se për Ballkanin Perëndimor, për Shqipërinë.
“Studentët tanë, fëmijët tanë mund të studiojnë prej këtej në çdo universitet europian në mënyrë digjitale dhe universitetet tona do të nisin të lidhin aleanca e të rriten së bashku me universitetet europiane. Kjo është diçka që deri më tash ishte e mundur vetëm po të ishe anëtar”, tha Rama.
“Do të thotë që studentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do mund që jo vetëm të studiojnë, duke qenë fizikisht në universitete të ndryshme të Europës, por edhe në formë virtuale, duke qenë në vendin e tyre, por në të njëjtën kohë kanë qasje të drejtpërdrejtë tek këto universitete”, shtoi von der Leyen.
Por Shqipëria do të aplikojë dhe për të përfituar financimin e disa projekteve në infrastrukturë dhe energji, nga paketa e dytë që Brukseli ka vendosur të ketë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ka një sërë projektesh të ndryshme që tashmë po financohen me 500 milionëshin tjetër. Unë di që disa prej projekteve janë për shembull një central i madh fotovoltaik këtu në Shqipëri”, tha von der Leyen.
“Kemi një sërë projektesh për të cilat jemi gati të aplikojmë. Njeri është tubacioni gazsjellës që do të lidhë Fierin me Vlorën për të siguruar ndërlidhjen me gazsjellësin Trans- Adriatik, gjithashtu dhe terminalin e Vlorës dhe terminalin energjetik, sidomos centralin ku do të kemi transformim të gazit, pra kalim të gazit”, u shpreh Rama.
Presidenti i Këshillit Europian dhe ajo e Komisionit Europian, të dy e vlerësuan samitin e Tiranës dhe për të adresuar shqetësimin për shifrat e rritura të emigracionit të paligjshme. Pyetjes përse u zgjodh Tirana për t’u zhvilluar samiti i parë i Këshillit Europian në Ballkanin Perëndimor, Michel i përgjigjet në mënyrë diplomatike, ndërsa Edi Rama e lidh me faktin se shqiptarët janë populli më europiandashës në rajon.
“Atëherë pse Tirana? Tirana sigurisht dukej si vendi i duhur dhe ju falenderoj ju, i nderuar Kryeministër, z. Edi, ekipin tuaj sepse ishte mbresëlënëse, pra se si u bë e gjithë kjo gjë dhe që në kaq pak kohë, organizuat një gjë kaq të madhe”, tha Michel.
“Mënyra ballkanike për të folur për Tiranën, është sepse jemi më të mirët, jemi më të vjetrit dhe sigurisht sepse jemi më besnikët”, u shpreh Rama.
Të dy zyrtarët e lartë të Brukselit e përsëritën se mesazhi që përçohet me samitin e mbajtur në rajonin tonë, është ai se BE ka vëmendjen maksimale duke pranuar se ndërhyrja ruse në Ukrainë ka dhënë një shtysë më tepër. Ndërsa Rama, ndryshe nga çdo herë tjetër kur flitet për Brukselin s’pati asnjë ankesë, por veç lëvdata, e të pakursyera lëvdatat ishin dhe për dy presidentët që kanë kontribut personal për përshpejtimin e proceseve integruese.
“Për herë të parë Ballkani shihet e trajtohet si një rajon gjeostrategjik dhe gjeopolitik për Bashkimin Europian. Kur do të jemi anëtarë? Një gjë është e sigurt. Ne, Shqipëria, shqiptarët jemi besnik Bashkimit Europian edhe nëse Bashkimi Europian zhduket”, tha Rama.
“Unë shpresoj që procesi të jetë sa më i shpejtë. Do të ketë një integrim efektiv të Ballkanit Perëndimor. Kjo do të thotë guxim, punë, reforma të kryera mirë”, u shpreh Michel.
“Ne shikojmë një moment deciziv dhe është sikur është hapur perdja dhe tashmë shikojmë thelbin e gjërave dhe thelbi i Bashkimit tonë Europian është që ne jemi një Bashkim Europian vlerash. Ne jemi të mendimit që në Ballkanin Perëndimor, por dhe në Bashkimin Europian, ne shikojmë këtë lëvizje shndërruese, transfomative përpara, por ama kemi të njëjtin drejtim”, tha von der Leyen.
Ai që Kryeministri Rama mendon që Tirana i dhuroi pa asnjë kufizim miqve të BE, ishte dielli.
“Një moment të bukur kur ishim në foton në grup dhe po dëgjoja shumë prej tyre të thonin,“dielli, dielli, dielli’, dielli i mrekullueshëm’’. Pra, ia dolëm pas 10 ditësh moti Brukseli të sjellim diellin sot në mëngjes për ta”, tha Rama.
Përpara nisjes së samitit presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh se duhet më tepër solidaritet mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.
“Jam shumë i lumtur që sot jam në Shqipëri. Është e rëndësishëm që të ketë solidaritet mes BE dhe Ballkanit Perëndimor për energjinë dhe procesin e integrimit të kësaj pjese në BE. E rëndësishme të punohet drejt solidaritetit”, tha Macron.
Samiti miratoi një deklaratë prej 32 pikash, ku theksohet se procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit do të jetë në bazë të meritës. Ndërsa kërkohet arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nën mbikëqyrjen e Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve. Një apel i lëshohet dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Tv Klan