Për të diskutuar sesi do të ndahen 6 miliardë Euro që BE ka vendosur në dispozicion të Ballkanit Perëndimor si pjesë e planit ekonomik të rritjes, të 6 liderët e këtij rajoni u mblodhën në Shkup. Përfaqësuesi i BE-së, Gert Jan Koopman, por edhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit James O’Brien që ishin pjesë e këtij takimi rajonal u kujdesën t’ju thonë liderëve ballkanik se çdo tentativë për të bllokuar fqinjtë do të ketë kosto ekonomike për vetë ata.
Gert Jan Koopman: Nuk do të ketë mundësi për t’u bërë pjesë e tregut të përbashkët europian nëse tentoni të bllokoni fqinjtë tuaj.
James O’Brien: SHBA ka dhënë 200 mln Dollarë për rajonin tuaj, por tani jemi fokusuar që t’ju ndihmojmë të përfshihen të gjithë në tregun e vetëm rajonal.
Kryeministri Rama më optimist se në çdo takim tjetër u përpoq të flasë për rëndësinë që ka më shumë sesa miliardat që BE vendos në dispozicion të rajonit, përfshirja në tregun e përbashkët europian dhe flet me shifra për përfitimet që ka nga ky anëtarësim.
“Në integrimin në tregun e përbashkët europian, vetëm nga ndryshimi i regjimit të transaksioneve financiare që bëjnë qytetarët, parashikohet të mund të kursejnë mbi 20 mln euro në vit. Janë shumë të tjera që do i ndihmojnë shumë ekonomisë bizneseve, etj.”, tha ai.
Rama nuk lë pa përmendur faktin se nëse do të ishin bërë bashke në nismën e Ballkanit të Hapur, nuk do të kishin humbur kohë dhe do të ishin gati teknikisht për t’u bërë pjesë e këtij tregu.
“Këto kërkesa që ka sot BE nga të gjithë ne flasin vetëm për atë që më ka rënë goja gjithë këto vite që ne duhet të integrohemi brenda për brenda që të jemi gati”, tha Rama.
Takimi i Shkupit pati rëndësi dhe për faktin që për herë të parë në këtë format pas ngjarjes së Banjskës u ulën në një tryezë si në darkën e të dielës ashtu dhe në takimin e kësaj të hëne Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç.
“Është hera e parë që unë jam në një darkë së bashku me të dy. U bë një komunikim pozitiv”, tha ai.
Vetë Albin Kurti përveç gatishmërisë për të bërë çdo reformë që kërkohet nga BE për të përfituar nga Plani i Rritjes, kërkon nga Serbia pa përmendur emrin e saj që të heqë dorë nga planet që cënojnë sigurinë.
“Kosova është e gatshme për reforma dhe që rajoni të integrohet ekonomikisht dhe qytetarët të përafrohen. Kërcënimet e sigurisë duhet të ndërpriten”, u shpreh Kurti.
Rama në një komunikim me gazetarët lajmëroi që qeveria e tij po përgatit të mbajë në Tiranë një samit për Ukrainën që do të sjellë në vendin tonë dhe Presidentin Zelensky.
“Do të kemi të pranishëm presidentin Zelensky ndërkohë që paralelisht me të do të përpiqemi që në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit”, tha Rama.
Nga plani i Komisionit Europian prej 6 miliardë Eurosh, 2 miliardë grante dhe 4 miliardë Euro kredi do të përfitojnë ato vende të rajonit tonë që do të përmbushin reformat e kërkuara nga Brukseli./tvklan