Sali: Hemofiltrimi në “Zhan Mitrev” është shfrytëzuar si trajtim “magjik”

KLINIKA VAZHDON TË MOHOJË TË DHËNAT E PUBLIKUARA

Kanë vazhduar reagimet në lidhje me skandalin në klinikën “Zhan Mitrev”. Sipas ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, rezulton që hemofiltrimi në klinikën Zhan Mitrev është përdorur si trajtim “magjik” për çdo lloj problemi në organizëm përcjell Klan M. Ai në podcoast-in e mbrëmshëm të IRL-së tha se, ministria po punon për të zbardhur situatën që ka ndodhur në këtë klinikë dhe se, komisioni profesional do të jap sqarim përfundimtar kur është përdorur metoda e hemofiltrimit, në bazë të dokumenteve.

“Është në rrjedhë formimi edhe i dy trupave punues. Njëri është për infeksionet intrahospitalore dhe tjetri është komision profesional të cilin e formon ministri në këtë rast, sepse e shohim se ka vonesa për shkak të numrit të madh të lëndëve të cilat trajtohen në Odën e Mjekëve. Dje formova edhe komision për mbikëqyrje profesionale në “Zhan Mitrev”, për rastin konkret për hemofiltrimin, të vërtetojmë nëse ajo është përdorur për raste siç përshkruhet në ef di ej, apo është tepruar me indikacione te rastet më të lehta, apo raste që janë kundër-indikuar”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali

Në lidhje me këtë raste, kanë reaguar edhe nga Alenaca për Shqiptarët, prej ku kanë kërkuar që ky skandal,  të mos heshtet si tragjeditë e tjera dhe të dyshuarit të arrestohen përcjell KlanM.

“Të gjithë të involvuarit të dalin para opinionit dhe të përgjigjen në të gjitha pyetjet dhe dilemat para atyre që i kanë votuar dhe finansuar, qytetarët dhe të njëjtit të paraburgosen që mos arratisen dhe të ndikojnë mbi dëshmitarët”, deklaroi Bekim Tateshi nga ASH.

Ndërkohë, nga Klinika Zhan Mitrev, vazhdojnë të mohojnë saktësinë e informatave të publikuara ditëve të fundit rreth tyre. Nëpërmjet një komunikate, ata kanë inkurajuar të gjitha organet inspektuese që t’i kryejnë kontrollet e nevojshme.

“Në institutin tonë shëndetësor janë mjekuar një numër i madh i pacientëve nga Covid – 19, ndërsa vetëm te një pjesë prej tyre është shfrytëzuar hemofiltrimi, me vlerësim të mjekëve përgjegjës për çdo rast konkret ndaras. Pacientëve të cilëve nuk u është kryer hemofiltrimi u janë kthyer paratë e marra paraprakisht për hemofiltrim”, deklaruan nga Klinika Zhan Mitrev.

Kujtojmë se, sipas të dhënave të hulumtimit të IRL-së – “Gjaku i papastër”, Klinika e Zhan Mitrevit gjatë mjekimit të pacientëve me covid – 19 ka përdorur metodën e hemofiltrimit. Për këtë mjekim pacientët kanë paguar shuma të mëdha të parave, por praktikisht ajo ka qenë studim klinik dhe pacientët e as familjarët e tyre nuk kanë qenë të njoftuar për këtë./KlanMacedonia/

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share