Safet Gjici dhe Alma Kaçi kërkojnë lirinë në Apel

Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit Safet Gjici ka dalë sot para Gjykatës së Apelit. Gazetarja Glidona Daci, në një lidhje live me Klan News tha se seanca është duke vijuar, ndërkohë që në këtë seancë është paraqitur edhe 40-vjeçarja Alma Kaçi e cila është personi që ka regjistruar videon intime në zyrën e Gjicit. Ata janë duke u përballur me gjykatën, pasi të dy kërkojnë ndryshim të masave të sigurimit.

Konkretisht, raporton gazetarja, Safet Gjici i cili është nën masën e arrestit me burg, kërkon masë më të lehtë sigurie, së pari duke mohuar kategorikisht të ketë lidhje me veprën penale të korrupsionit pasiv. Nga ana tjetër, ai kërkon gjithashtu edhe për shkak të problemeve shëndetësore të hetohet në një masë më të butë sigurie.

Ndërsa Alma Kaçi, sipas Dacit, gjatë kërkesës së bërë Gjykatës së Posaçme të Apelit për ndryshim të masës së sigurisë, kërkon masë më të butë për faktin se ajo ka një fëmijë të mitur, ka të ëmën mbi 70-vjeç dhe gjithashtu sipas Kaçit është e vetmja që ka mundësi të sigurojë të ardhura për të mbajtur familjen, ndaj ajo kërkon një masë më të butë se ajo e arrestit në shtëpi, si detyrim paraqitje ose atë të bllokimit të pasaportës dhe të vijojë hetimet në gjendje të lirë, sa i takon veprës penale të korrupsionit aktiv.

Edhe gjatë ditës së sotme, teksa shoqërohej nga policia drejt dyerve të gjykatës, 40-vjeçarja Kaçi mbante në kokë një kapele dhe syze dielli, siç shihet në pamjet që përcjell Klan News.

Sipas Dacit, aktualisht SPAK vijon hetimet për rastin në fjalë dhe është në pritje të akt-ekspertizës së pajisjes me të cilën u bë dhe regjistrimi i videos në zyrën e ish-kryebashkiakut të Kukësit./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share