Sabotohet rrjeti i shpejtë hekurudhor në Francë – Pak para hapjes së Lojërave Olimpike digjen dhe vandalizohen tre linja

SABOTOHET RRJETI I SHPEJTE HEKURUDHOR NE FRANCE

Vandalët kanë shënjestruar rrjetin e trenave të shpejtësisë së lartë të Francës duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të udhëtimeve përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit. Autoritetet dyshojnë për akte sabotimi.

Përpara ceremonisë së hapjes së Lojrave Olimpike në Paris , rrjeti hekurudhor i shpejtësisë së lartë të Francës TGV është goditur nga “akte keqdashëse”, duke ndërprerë disa nga linjat më të ngarkuara të vendit.

“Zjarrvëniet filluan për të dëmtuar objektet tona,” tha operatori shtetëror hekurudhor duke deklaruar se aktet keqdashëse kishin ndodhur gjatë natës. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse sulmet ishin të lidhura me ngjarjen sportive ndërkombëtare, por autoritetet dyshojnë se sulmet ishin akte sabotimi dhe të koordinuara.

Operatori hekurudhor tha se shumë udhëtime do të duhet të anulohen gjatë gjithë fundjavës derisa të kryhen riparimet. Zjarrvënësit kishin shënjestruar instalimet përgjatë linjave që lidhnin Parisin me perëndimin, veriun dhe lindjen e vendit. Trenat për në Belgjikën fqinje dhe për në Londër nën Kanalin Anglez u prekën gjithashtu. Sipas mediave franceze ky sulm ka prekur mbi 800 mijë udhëtarë.

Ministri i Transportit Patrice Vergriete i përshkroi aktet si kriminale. Shefi i policisë së Parisit tha se do të përforconte edhe më tej sigurinë në stacionet kryesore të kryeqytetit.

Siguria është e lartë në Francë që përfshin një perimetër të madh sigurie përgjatë të dy brigjeve të Seine, i ruajtur nga 45,000 oficerë dhe xhandarë. 10,000 ushtarë të tjerë si dhe 22,000 roje private të sigurisë janë vendosur gjithashtu për ngjarjen përfshirë edhe qentë si dhe ushtarë nga Mbretëria e Bashkuar. /tvklan.mk/

GAZETARE: LIVIA KALLFA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share