Ndërtesat e energjisë së Ukrainës u sulmuan gjatë natës nga Rusia me raketa dhe dronë. Këto sulme shkaktuan dëme në hidrocentralet dhe termocentralet, tha operatori i energjisë ukrainase, Ukrenergo më 29 mars.
Këto sulme ruse, që janë më të mëdhatë që nga e premtja e kaluar, veçse kanë shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesat e gjenerimit dhe transmisionit të Ukrainës, duke detyruar Kievin që të ndalë eksportet e energjisë dhe të varet nga importet.
“Gjatë natës, rusët sërish sulmuan ndërtesat energjetike përmes një sulmi masiv dhe të kombinuar”, tha Ukrenergo përmes një postimi në Telegram.
“Ka dëme në ndërtesat energjetike në rajonet qendrore dhe perëndimore”, u tha në njoftim.
Ukrenergo theksoi se në rajonin juglindor të Dnipropetrovskit autoritetet janë detyruar që të ndalin furnizimin me energji elektrike.
Ndërkaq, kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë, DTEK, njoftoi se Rusia ka sulmuar tri termocentrale në pronësi të kompanisë. Kjo kompani tha se dëmet në pajisje janë të mëdha, por pas përfundimit të sulmit, inxhinierët elektrikë menjëherë kanë nisur punën për të riparuar dëmet.
Ndërkaq, televizioni ukrainas raportoi mëngjesin e së premtes se shpërthime janë dëgjuar në rajonet Ivano-Frankivsk dhe Hmelnitski dhe në qytetin Dnipro, ndërkaq raportohet se Rusia ka kryer sulme me raketa lundruese.
Në javët e fundit, rusët kanë intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës duke shënjestruar infrastrukturën kyçe, përfshirë ndërtesat e energjisë, në shenjë hakmarrjeje për bombardimet në rajonet kufitare ruse. /REL