Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të takohet me ligjvënësit amerikanë në Capitol Hill dhe presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë sot për të apeluar për më shumë ndihmë nga ShBA-ja.
Takimet vijnë vetëm disa orë pasi Ukraina u përball me një raund të ri sulmesh ruse ndaj objekteve të energjisë në të gjithë vendin, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.
Shtëpia e Bardhë planifikon të sigurojë një paketë të re ndihme për Ukrainën, sipas një zyrtari amerikan, dhe Biden pritet të bisedojë me Zelensky për nevojat e fushëbetejës.
Administrata Biden i ka kërkuar Kongresit më shumë fonde për Ukrainën, mes skepticizmit nga disa ligjvënës të GOP.
Sulmet ruse në qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, vranë të paktën dy persona, ndërsa sulmet në Kiev dhe Kharkiv lanë të plagosur.
Ndërkohë, Ukraina tha se kreu një sulm “masiv” raketor kundër një baze ruse në Krime.