Rusia tha të mërkurën se Lindja e Mesme po shkon në prag të një lufte të madhe, pas vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran.
“Rajoni aktualisht është duke balancuar në prag të një konflikti global”, tha Andrei Nastasin, zëvendës zëdhënës i ministrisë së jashtme ruse, shkruan The Guardian.
Sipas Reuters, Rusia tha se “dëshira maniake” e SHBA-së për ta monopolizuar procesin e zgjidhjes politike në Lindjen e Mesme ka çuar në këtë situatë.
Hakmarrja për vrasjen e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh është “detyrë e Teheranit” sepse ndodhi në kryeqytetin iranian, tha të mërkurën lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Izraeli nuk ka bërë ende asnjë koment për vrasjen e Haniyeh, por në një deklaratë, Hamasi e akuzoi Izraelin për sulmin.