Rusia nis sulme të reja ndaj termocentraleve të Ukrainës

Energjia elektrike është ndërprere në shumë zona, SHBA bën përgjegjëse Rusinë për krime lufte

Forcat ruse kanë shënjestruar sërish termocentralet e Ukrainës në Kiev dhe qytete të tjera të mëdha. Në kryeqytet u raportuan tre shpërthime mëngjesin e kësaj të marte. Stacioni i energjisë Dnipro  ishte ndër objektivat e goditura nga Rusia.

Energjia dhe uji u ndërprenë edhe në Zhytomyr, në perëndim të Kievit ku dy objekte u dëmtuan rëndë. Sulmet e fundit erdhën 24 orë pasi Kievi u godit nga dronët “kamikaze”. Infrastruktura në qytetin jugor të Zaporizhzhia u godit gjithashtu, megjithëse zyrtarët lokalë thanë se askush nuk ishte lënduar.

Kompania shtetërore për energji bërthamore në Ukrainë, Enerhoatom, ka akuzuar Rusinë për marrjen peng të dy punëtorëve në centralin bërthamor në Zaporizhzhia. Zyrtarët ukrainas bëjnë të ditur se ende nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Enerhoatom i ka bërë thirrje Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike që të bëjë “çdo përpjekje” për të siguruar lirimin e tyre.

Të paktën 13 persona kanë vdekur pasi një aeroplan luftarak rus u rrëzua në një bllok apartamentesh në qytetin jugor rus të Yeysk. Dy pilotët e avionit Su-34, në një fluturim stërvitor, u hodhën përpara se ai të godiste ndërtesën. Në mesin e viktimave ishin edhe tre fëmijë. Zyrtarët kanë bërë të ditur se 68 persona  u shpëtuan nga zjarri në bllokun nëntëkatësh. Nëntëmbëdhjetë persona të plagosur po trajtohen pas aksidentit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se Rusia do të jetë përgjegjëse për krimet e luftës si dhe do të të ndërmarrin veprime kundër kompanive dhe kombeve që punojnë me programin e dronëve të Iranit.

“Kushdo që bën biznes me Iranin që mund të ketë ndonjë lidhje me zhvillimet e raketave balistike ose dërgimin e armëve nga Irani në Rusi, duhet të jetë shumë i kujdesshëm pasi SHBA nuk do të hezitojë të përdorë sanksione ose të ndërmarrë veprime kundër autorëve”, bëri të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

Britania dhe Franca ranë dakord që Irani që furnizon Rusinë me dronë ka shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që miratoi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe gjashtë fuqive. Anthony Blinken, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, u shpreh se ajo që do të përcaktonte konkurrencën midis fuqive botërore tani ishte teknologjia. Ai tha se përdorimi i dronëve iranianë ishte një “shenjë e rritjes së dëshpërimit nga Rusia”.

Bombardime u rregjistruan gjithashtu edhe në Dnipro dhe në Mykolaiv ku infrastruktura pësoi dëme serioze. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kërkoi shpëtimin e sa më shumë të burgosurve që mbahen nga Rusia. Të dy palët kryen një nga shkëmbimet më të mëdha të të burgosurve deri më tani, duke liruar 218 persona, mes tyre 108 gra ukrainase.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share